Xhelal Mziu: Qeveria jep 1 lekë për banor në bashkitë e djathta, 4.7 për të majtat
Kryebashkiaku i Kamzës: Një banor i Kamzës nga Fondi i Zhvillimit Rajonal ka marrë vetëm 100 lekë nga 3330 lekë që është mesatarja në Shqipëri, pra ka përfituar 33.3 herë pak. Bashkitë e djathta kanë 22% të popullsisë, por marrin vetëm 7% të grandit që akordon qeveria
U zhvillua të të mërkurën konferenca “Decentralizimi – një vit me pas” organizuar nga Shoqatat e Bashkive, me mbështetjen e USAID – Projekti i Planifikimit dhe Qeverisjes Vendore (PLGP). Të pranishëm ishin drejtues te bashkive 61 bashkive të vendit, komuniteti i donatoreve dhe Organizata te Shoqërisë Civile si dhe z.Bledi Çuçi, ministër i Shtetit për Çështjet Vendore zj. Cate Johnson, Drejtoreshe e USAID Shqipëri, zj.Voltana Ademi, Presidente e ShBSh/ Kryetar e Bashkise Shkodër kryebashkiaku i Kamzes Xhelal Mziu dhe te tjerë drejtues vendor. Tematika u fokusua ne zbatimin e strategjisë së Decentralizimit gjate viti te pare. Pas fjalimeve qoka, organizatorët u kujdesën të nxjerrin mediat jashtë salle që të mos dëgjoheshin dhe pasqyroheshin ankesat e bashkive të djathta.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, i pranishëm në konferencë ngriti si çështje të mprehtë diskriminimin që vijojnë të kenë bashkitë e djathta nga ana e pushtetit qendror, në veçanti Bashkia e Kamzës. Në fjalën e tij kryebashkiaku Mziu tha: -“Është i pari vit që ka filluar funksionimi i 61 bashkive të reja, por ka mjaft probleme të cilat kanë ardhur për shkak të vakumit ligjor që është krijuar nga ndryshimet që kanë ndodhur. Unë shoh disa statistika të USAID-it mes të cilave ka një numër të konsiderueshëm shifrash nga qeveria. Nuk kanë pasur se ku t’i marrin këto informacione. Kemi Regjistrin Kombëtar të Popullsisë. Jemi kryetarë bashkish që kemi inventarë për gjëra shumë të vogla, por ajo çfarë është më kryesorja, ne nuk kemi inventarin e popullsisë. Askush nga ne kryetarët nuk e di se sa është numri i popullsisë i asaj njësie vendore. Madje, qytetarë të ndryshëm ikin dhe vijnë pa lënë gjurmë dhe nuk zbatojnë edhe ligjin kur mund të lëvizin dhe e them këtë sepse tek numri i popullsisë fillon edhe kërkesa në lidhje me atë se çfarë i takon një njësie vendore për të pasur në raport me delegimin e kompetencave apo të granteve që i akordohen një pushteti vendor. Së dyti, edhe pse më shumë se një vit pas reformës së re territoriale vazhdon që të jenë të njëjtat probleme shqetësuese për secilin nga ne në lidhje me atë se çfarë i takon pushtetit vendor në raport me GDP-në. Kemi pasur një raport 2.1 për qind të GDP-së dhe jemi edhe larg asaj që ka qenë në kulmin më të madh. Jemi vendi i fundit në rajon, por ajo çfarë është më kryesorja ka një vit, asnjë qindarkë në marrëdhënie me pushtetin vendor, madje nëse do të shohim statistikën e vitit 2015-2016, do të shohim se pavarësisht se është shtuar transferta specifike, granti i fillimit të vitit ose i pakushtëzuar është më pak sesa një vit më parë, çfarë do të thotë se pushteti vendor merr më pak se një vit më parë, nuk është më 2.1 për qind, por është më pak në terma realë. Madje nëse i referohemi transfertës specifike, – ju e dini shumë mirë se transferua specifike ka të bëjë kryesisht me pagesën e arsimit parashkollor dhe e nëpunësve ndihmës të arsimit parauniversitar dhe unë jam sigurt që qeveria do të lozë me shifrën e rritjes së përqindjes së GDP-së, – por në fakt, kjo nuk ka rritur asnjë qindarkë, madje asgjë më tepër në lidhje me baskitë”. Në vijim të fjalës së tij z.Mziu shtoi se: -“Është diskutuar edhe një vit më parë që duhet të ndryshojë ligji i financave kryesisht në raport me njësitë vendore, që të bëhet njësoj si njësitë e tjera vendore të Evropës apo të Ballkanit, që të kenë pjesëmarrje në përqindje tek taksat nacionale. Edhe sot që ne flasim, zero lekë marrim në lidhje në raport me TVSH-në; zero lekë marrim në raport me tatimfitimin. Edhe në lidhje me taksat e biznesit të vogël, për shkak të mosangazhimit të qeverisjes qendrore për ta shtrirë influencën e saj në zhdukjen e informalitetit te çdo njësi vendore, shifrat kanë treguar se taksat e biznesit të vogël kanë pësuar një rënie jo vetëm për shkak të heqjes së fashos nga zero në 5 milionë, që ka ndikuar negativisht te pushteti vendor, pavarësisht se “dekoratat” i mori pushteti qendror, por edhe ajo taksë nuk mblidhet, sepse nuk ka një angazhim për të pasur ndershmëri maksimale dhe për t’ia deleguar pushtetit vendor. Është folur për taksën e pasurisë, si një revolucion që do të ndodhte, por pavarësisht se ka kaluar më shumë se një vit, asgjë nuk është bërë konkrete, vazhdojmë të jemi po në atë situatë, asnjë lloj bashkëpunimi midis ZRPP-së dhe njësive vendore apo njësive të pushtetit vendor dhe të tjera hallka ndihmëse që mund të kontribuojnë në emetimin e kësaj takse dhe ndershmërinë e saj. Po akoma më tej, për shkak të vakumit ligjor dhe akteve nënligjore, ka shumë biznese që duke shfrytëzuar këtë lloj instrumenti nuk paguajnë taksë për këtë shkak apo të tjera probleme të cilat jam i sigurt që jo vetëm unë, por edhe kolegët e mi e vuajnë këtë lloj situate që ne kemi. Por ka edhe mjaft probleme të tjera të cilat besoj që i vuan pushteti vendor, pra për shkak, edhe një herë, të problemeve të trashëguara nga ndryshimet ligjore. Përveç këtyre problemeve, edhe në drejtim të kompetencave, madje në drejtim të kompetencave u trumbetua sikur vërtet patëm një sukses”.
“Unë vetëm një rast do të marr, rastin e ministrit, i cili trumbetoi sistemin e vaditjes dhe të kullimit dhe, në fakt, çfarë ka ndodhur. Në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 4 shkurt të këtij viti, Këshilli i Ministrave vendos për blerjen e 61 ekskavatorëve për 61 njësi vendore dhe, për çudi, pasi bëhen këto blerje, po të shohësh te lista bashkëngjitur, shumica e bashkive dhe kryesisht të djathta nuk kanë ekskavator dhe sa herë që i drejtohemi edhe Kryeministrit, edhe ministrit, asnjëherë nuk kthen përgjigje, qoftë edhe për ta pasur si “relikte” të komunikimit zyrtar me njësitë e pushtetit vendor. Ky është vendimi i Këshillit të Ministrave, kjo është “Fletorja zyrtare”, këto janë edhe njësite vendore që nuk kanë marrë ekskavator. Por po marr vetëm zonën e Kamzës. Si mund të mos marrë zona e Kamzës, që është qyteti i shtatë në Shqipëri për nga numri i popullsisë dhe ka dy rreziqe të përmbytjes. Ka lumin Tirana, lumin Tërkuza dhe ndërkohë Lana që krijon përmbytje sa herë që ka shira. Dhe ekskavatorin e Kamzës e ka marrë Tirana. Por le të ketë Tirana, por të paktën të merrte edhe Kamza, të merrte edhe Klosi, të merrte edhe Burreli, të merrte edhe Kukësi, të merrte edhe Tropoja, sepse është vërtet skandaloz ky diskriminim që bëhet. Por shifra apo loja e shifrave e kësaj qeverie ka ndikuar negativisht te pushteti vendor dhe unë nuk e mohoj se ndoshta edhe në vendet më të zhvilluara ka favore për ato njësi vendore që i përkasin një force të caktuar politike, por që të ndryshojë me tre-katër herë, kjo nuk është parë as në këto 26 vite të funksionimit të pushtetit vendor, por as edhe në ndonjë tjetër njësi vendore qoftë edhe në vendet e Ballkanit. Po të shohësh nga 61 bashkitë, nga 10 bashkitë e para, 8 bashki janë të djathta, duke filluar nga Shkodra, Kamza, Lezha, Pogradeci etj. Dhe në fakt, po të shohësh në raport, – unë kam bërë një statistikë të saktë të grantit të akorduar nga qeveria për vitin 2015 dhe për vitin 2016, pra fiks në këtë 1 vit qeverisje në pushtetin vendor, – shohim që shifrat janë vërtet tepër alarmante, por kjo ka ndodhur në kushte të pabarabarta. Edhe një herë i kthehem influencës që mund të ketë qeveria me bashkitë e majta po jo me këtë lloj raporti. Unë këtu kam Fondin e Zhvillimit të Rajoneve për bashkitë për vitin 2015. Kush të dojë, le të vijë të shohë edhe shifrat, që i kam publikuar sipas “Fletores zyrtare”, por edhe bashkitë që kanë përfituar. Dhe, po të shohësh, duke filluar nga Kamza dhe bashkitë e djathta, shihni përfitimin nga Fondi i Zhvillimit në miliona lekë që kanë përfituar bashkitë e majta. Kush të dojë le të shohë shifrat, madje edhe me presje dhjetore. Kjo është një tjetër shifër, por kjo për vitin 2016, sipas emetimit të “Fletores zyrtare”. Edhe në këtë rast, shihni ku renditet Kamza, apo Klosi, apo bashkitë e djathta, shihni çfarë përftimi kanë bashkitë e majta!. Këtu kam po prapë një raport ku shihet qartë, bashkitë e majta dhe bashkitë e djathta, shihni edhe shifrat, shihni edhe grafikun. Po të lëvizë 10%, 20% apo edhe 50%, do të ishim po prapë dakord, por që të lëvizë me herë, është vërtet skandaloze. Ja se sa është fondi i shpërndarë për një banor për vitin 2015. Një qytetar i Klosit zero, një qytetar i Kamzës diku me presje dhjetore. Shihni se sa ka marrë, po themi, një nga ato bashkitë e majta (dhe pasqyron grafikun e financimit te bashikve te majta). Kam një tjetër statistikë: janë 15 njësi vendore nga 61 njësi, çfarë do të thotë që janë rreth 23.60% për nga numri i njësive vendore. Por unë kam bërë një tjetër raport, për të qenë më konkret. Nga 4 milionë e 408 mijë banorë që ka sipas emetimit të Ministrisë së Brendshme, kam vendosur edhe numrin e popullsisë, dhe bashkitë e djathta kanë 22%, bashkitë e majta zënë 78% të popullsisë. Pavarësisht se është 22 me 78, ja cila është situata për vitin 2016: 93% e kanë marrë bashkitë e majta, vetëm 7% e kanë marrë bashkitë e djathta. Nëse i referohemi vitit 2015, 9% nga 22% që duhet të merrnin bashkitë e djathta, por ja sa kanë marrë bashkitë e majta. Por nuk është vetëm aq, bie fjala një bashki për vitin 2015, për sa i përket grantit të akorduar për pushtetin vendor, kam nxjerrë se sa i takon një qytetari dhe sa ka përfituar realisht. Një banor i një prej njësive vendore të djathta ka marrë 1 lekë ndërsa në bashkitë e majta 4.7 lekë, disa herë më shumë. Ky është një diskriminim i pastër që i bëhet qytetarit që është në këto njësi vendore. Qeveria të heqë dorë nga kjo lëvizje tinëzare që bën në lidhje me grantet ndaj pushtetit vendor. Kanë ndryshuar edhe raportin e granteve që shkon drejt pushtetit vendor. Rreth 50 apo 51% e atij fondi që shkon për pushtetin vendor, është në dorën e Kryeministrit dhe Kryeministri: zero për të djathtat, i patë vetë shifrat. Nëse nuk ndryshon ky lloj raporti, të jeni të sigurt që qytetarët e njësive tona vendore do të krijojnë një hendek të theksuar. Por, në fakt, çuditë vazhdojnë akoma edhe te transferta specifike. Nëse i referohemi transfertës specifike, e cila ka të bëjë me funksionet e reja, shtatë funksionet e reja, edhe aty ka futur dorë qeveria. Unë po jap në lidhje me Kamzën. 103 mijë lekë ka marrë Kamza; në raport me popullsinë duhet të merrte 193, pra nga transferta specifike, dhe çfarë ka prodhuar kjo?. Bie fjala, me ligj është vendosur, dhe është ligj i ri, i 2015-ës, në lidhje me zjarrfikëset. Janë disa bashki, kryesisht bashki të djathta, te të cilat nuk janë transferuar makineritë për mbrojtjen kundër zjarrit. Ndërkohë ligji thotë: – “Çdo bashki për 1500-2000 banorë duhet patjetër që të ketë një punonjës të zjarrfikëseve, çfarë do të thotë që në Kamëz duhet të ketë 68 persona; zero fond i deleguar dhe zero punonjës. Po ku mund të ndodhë kjo në një bashki analoge?!. Pra, kur ndodh një problem në Kamëz, që është qyteti i shtatë në Shqipëri me mbi 130 mijë banorë, t’i drejtohet kolegut të Tiranës që ka dy reparte me qindra persona, për t’i ardhur në ndihmë, për shkak të emergjencave që mund të ndodhin! Por, në fakt, nuk është vetëm kjo, diskriminimi ka arritur edhe më tej. Kemi një konvikt, – kanë kaluar të gjitha konviktet në Shqipëri tek pushteti vendor, – një konvikt që është në Kamëz menaxhohet nga Bashkia e Tiranës. Jo vetëm aq, për të gjitha qendrat ditore kanë kaluar kompetencat te pushteti vendor, madje qendra ditore e Kamzës është që në vitet `70. Në Kamëz vazhdon e menaxhohet nga ministria e linjës. Ka të tjera argumente, megjithatë unë po e lë me aq, por shpresoj që vakumi të plotësohet, të shihen vërtet këto probleme!. Po ju them edhe një gjë të fundit, një banor i Kamzës nga Fondet e Zhvillimit Rajonal ka marrë vetëm 100 lekë për banor. Mesatarja e Shqipërisë është 3330 lekë, 33.3 herë më shumë nga sa merr Kamza. Pra një banor i Kamzes përfiton nga Fondi i Zhvillimit Rajonal 33.3 herë më pak se mesatarja. Besoj që këtë lloj hendeku mes së majtës dhe të djathtës askush nuk e dëshiron, madje nuk e dëshirojnë as të majtët, as të djathtët. Pra, mund të ketë diferencë, por jo kjo diferencë në herë!. Uroj që këto shqetësime që thashë unë, por edhe shqetësime të tjera që kanë kolegët, të gjejnë vend në vakumet ligjore, për shkak të mungesës së akteve nënligjore, por edhe për shkak të pavarësisë së pushtetit vendor, për të mos qenë në dorë të qeverisë më shumë sesa 50% e buxhetit të pushtetit vendor dhe ligji i financave duhet t’u përafrohet vendeve të Bashkimit Evropian për të krijuar barazinë në funksionimin e pushtetit vendor.”-përfundoi fjalën e tij kreu i bashkisë Kamëz Xhelal Mziu.
KOHA JONË SONDAZH

