Xhixho: S’ka zgjedhje të lira pa zgjidhur fenomenin e shitblerjes së votës

Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho, në një intervistë për ”Ora News”, u shpreh se një nga pikat e rëndësishme të Reformës Zgjedhore, është që të garantojë zgjedhje të lira, pasi në të të kundërtën tha ajo, nuk zgjidhet fenomeni i shitblerjes së votës. ”Sot Shqiperia e ka domosdoshmëri Reformen Zgjedhore dhe nëpermjet saj realizimin e zgjedhjeve te lira e të ndershme si kusht për integrimin europian dhe forcimin e demokracise qe buron nga vota e lire. Pa Demokraci të konsoliduar dhe shtet ligjor nuk mund të kemi avancim në proçeset integruese të vendit”.

Intervista e plotë

Në horizontin tuaj Gjykata Kushtuese nuk merr vendim me 5 veta por si vijon më tej procedura për të shkuar të 5-shja dhe më pas më tepër se 5?

Deri më sot kemi një dekret të Presidentit i cili e ka ushtruar në mënyrë të menjëhershme detyrimin e tij ligjor për të dekretuar anëtarin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjithashtu z.Besnik Muçi ka kryer betimin dhe momentalisht është në kryerjen e funksionit të tij. Sot kishte një mbledhje të Komisionit të Ligjeve ku kandidatët patën një seancë pyetje-përgjigje në Parlamentin e Shqipërisë për dy vakancat e Gjykatës Kushtetuese që miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë më dt.13 Nentor.

Shiko dy qasjet që ka. Nëse Presidenti vepron në mënyrë të menjëhershme dhe sheh ngritjen e Gjykatës Kushtetuese si një emergjencë kombëtare sepse një vend që aspiron integrimin europian dhe nuk ka Gjykatën Kushtetuese funksionale prej më shumë se 2 vjetësh si institucioni i vetëm që bën jo vetëm interpretimin final të Kushtetutës por mbron dhe liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve dhe nga ana tjetër mungesa e kësaj Gjykate Kushtetuese ka bërë që shumë nga debatet politike apo thellimi i krizës politike të jetë pikërisht sepse nuk kemi Gjykatë Kushtetuese ku do të çonim shumë nga ligjet e miratuara në mënyrë antikushtetuese të cilat sot nuk kanë asnjë barrierë kontrolluese nga asnjë institucion.

Nga ana tjetër ke qasjen e Parlamentit që e çon në limit 30 ditor që ia lejon Kushtetuta, miratimin në Kuvend. Sepse gjithë vullneti apo gjithë angazhimi jo vetëm i opozites por tashmë e shprehur qartë edhe në Rezoluten e Bundestagut Gjerman, i cili ka vënë një nga kushtet për hapjen e negociatave, pikërisht ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Edhe miratimin ne Kuvend te 2 anetareve te rinj te Gjykates Kushtetuese apo edhe me dekretimin nga Presidenti i anëtarit tjetër, do të kemi një Gjykatë Kushtetuese me 5 anëtarë dhe përsëri plotësimi me 6 anetere që është minimumi i kuorumit për të funksionuar Gjykata Kushtetuese do te kerkoje kohe pasi 1 vakanc është në proçes , gjithashtu nuk kemi një datë të përcaktuar se kur do të ngrihet kjo Gjykatë.

Rëndesinë që ka për çeshtjet që pritet të shqyrtohen siç është dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 30 qershorit apo vendime të tjera që kërkojnë minimalisht 6 anëtarë. 3 anëtarët e tjerë ne perbërje të saj vijne nga Gjykata e Lartë që ne nuk e kemi funksionale, prandaj duhet ngritur Gjykata e Lartë që të plotësohet Gjykata Kushtetuese me 3 anëtarë të tjerë.

Po të ndalemi te SPAK-u kemi një formulë të re 8+2. A e parashikon Kushtetuta një rast të tillë?

Është shumë e rëndësishme që SPAK të ngrihet një orë e më parë dhe kjo ka qenë një nga kërkesat jo vetëm të LSI, të opozitës por edhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Biles në diskutimet e para për reformën në drejtësi ka qenë një variant që të ngrihej në fillim SPAK, BKH dhe më pas të ngriheshin institucionet e tjera te drejtësisë. Duke qenë se një nga detyrat më të rëndësishme që do bëjë Prokuroria e Posaçme do jetë pikërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta të zyrtarëve.

Çfarë ndodh sot me vendimin e fundit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë e cila në mënyrë të pa arsyetueshme e ka vonuar ngritjen e SPAK nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore për ngritjen e SPAK-ut, sot propozon një formulë 8+2, pra 8 prokurorë të cilët kanë kaluar të 2 shkallët e Vettingut dhe dy Prokurorë të Komanduar jashtë listës së propozuar nga KLP për krijimin e SPAK-ut. Kjo nuk është e parashikuar në Kushtetutë. Nëse sheh nenin 148 pika dh thotë qartazi që Prokuroria e Posaçme përbehet me minimumi 10 prokurorë. Dhe nga ana tjetër në po këtë nen parashikohet shumë qartë që kryetari apo drejtuesi i SPAK do të zgjidhet nga anëtarët Prokurorë të Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë KLP merr atribute që nuk i takojnë dhe ne vendimin e fundit ka përcaktuar që do të jetë ai institucioni që do të përcaktojë dhe drejtuesin e SPAK. Këto dy momente janë totalisht antiligjore, antikushtetuese për sa kohë Kushtetuta ka parashikuar një mënyrë sesi do të krijohet SPAK dhe zgjedhja e drejtuesit të saj.

Ju jeni dhe eksperte e grupit opozitar sa i përket reformës zgjedhore. Cilat janë disa nga fokuset kryesore që ju keni ndërmend në draftin tuaj?

Është për t’u vlerësuar që opozita ka marrë përsipër përgjegjësitë që asaj i takojnë. Padyshim pas rezolutës së Bundestagut gjerman, të cilën e kemi lexuar me shumë përgjegjësi edhe me shumë dëshirë për të kontribuar si një rezolutë e cila paraqet edhe mënyrën sesi mund të zgjidhet kjo krizë politike dhe institucionale në të cilën ndodhet vendi, ku padyshim që pika numër një është reforma zgjedhore dhe më pas edhe implementimi i saj.

Në këtë kuadër është ngritur një grup ekspertësh i opozitës së bashkuar, me përfaqësues të të gjitha forcave politike, duke shprehur vullnetin dhe përkushtimin për të pasur një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, të vërtetë dhe për t’u shkëputur njëherë e mirë nga një proçes i cili në drejtimin e kësaj maxhorance dhe kryeministrit Rama, jo vetëm që nuk garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme, të cilat janë tashmë janë të ditura, si zgjedhjet e 2016, ato të 2017, përgjimet që kanë dalë apo dy dosjet që janë tashmë flenë në Prokurori, dosjet 184 dhe 339 që ende nuk zbardhen.

Pra për t’u ndarë njëherë e mirë nga fenomeni i shit blerjes së votës, dekriminalizimi dhe për të bërë një reformë zgjedhore të mirëfilltë. Gjithashtu LSI ka krijuar një strukturë ekspertësh pranë saj, për të parë dhe për të propozuar në mënyrë konkrete të gjitha pikat apo propozimet tona për këtë reformë zgjedhore bazuar dhe në Rekomandimet e OSBE-ODIR.

Mazhoranca, së bashku me opozitën e re që është brenda Parlamentit, kanë ngritur një grup për reformën zgjedhore. A keni ju një draft për punimet që ka kryer për një kohë disa mujore tashmë? A keni ju një draft mbi të cilin të punoni, apo ta kundërshtoni, që ka ardhur nga punimet e këtij Komisioni?

Ka një draft të Partisë Socialiste, unë e kam parë së bashku me ekspertët. Është një draft që nuk jep asnjë përgjigje për çështjet madhore që duhen zgjidhur për procesin elektoral. Nuk adreson as shit blerjen e votave, nuk adreson as dekriminalizimin , nuk adreson as presionin që bëhet ndaj administratës apo presione nga më të ndryshmet në mënyrë qe të realizihen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dhe në momentin që nuk adreson këto probleme madhore, pjesa tjetër janë thjesht rafinatura apo propozime të cilat janë thjesht periferike, apo thjesht një draft që nuk demostron aspak vullnet për të bërë një reformë zgjedhore të mirëfilltë.

Në këndvështrimin tim, si një person që ka garuar në zgjedhje dhe është përballur me problematikat e procesit zgjedhor, mund të them që problemi më i madh sot në proçesin zgjedhor është padyshim shitblerja e votave, ku njerëz me influenca, me para të drogës, apo që kryejnë pastrim parash, futen në proçese elektorale, blejnë votën 1-2 ditë para zgjedhjeve duke deformuar kështu vullnetin e qytetarëve. Të mos flasim pastaj për kandidimin e personave me rekorde kriminale që janë bërë pjesë e Parlamentit, apo edhe rastin e fundit të kryebashkiakut te Vores. Pra nëse nuk zgjidhen këto 2-3 momente dhe nëse nuk ka vullnet për t’i zgjidhur ato, pa dyshim që të gjithë diskutimet e tjera janë periferike.

Sot Shqiperia e ka domosdoshmëri Reformen Zgjedhore dhe nëpermjet saj realizimin e zgjedhjeve te lira e të ndershme si kusht për integrimin europian dhe forcimin e demokracise qe buron nga vota e lire. Pa Demokraci të konsoliduar dhe shtet ligjor nuk mund të kemi avancim në proçeset integruese të vendit.

SHKARKO APP