Ylli Manjani: T’i mbyllim në ambasadat e tyre të gjithë ambasadorët e huaj!
Nga Ylli Manjani-
Nuk kam asnjë iluzion që ai apo ajo që pason Yuri Kim do të jetë më mirë. Ndoshta ndonjë dallim një stil e formë, por thelbi do të jetë njësoj.
Prej vitesh, që nga koha e Obamës, administratat amerikane e njohin Shqipërinë në sajë të lobistëve. Këta të fundit prezantojnë atje klientët e tyre, pra individët dhe jo Shqipërinë dhe hallet e saj.
Udhëheqësit politikë në Shqipëri gjithnjë kanë rendur të gjejnë lobistin e duhur për të marrë vëmendje personale në administratën politike në Amerikë.
Edi Rama, qartësisht ka qenë më i suksesshmi. Ka pasur dhe ka lobistin e duhur dhe ka marrë vëmendjen më të madhe në administratat amerikane. E nisi me rolin e “gruas së Bilalit” dhe vijon të jetë “i preferuari” i tyre për shkak se ka lobistin e mirë.
Pra, mënyra e komunikimit ndërshtetëror ka qenë lobimi, që në në shqip e njohim si formë korrupsioni ose ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
Në këto kushte, kur administrata amerikane na njeh si ca njerëz që meritojnë sundimin e Ed Ramës, nuk ka sesi ambasadorët e saj të jenë të mandatuar për ne. Jo, ata mandatohen për t’i qenë në krah, Ramës.
Kjo shpjegon edhe faktin që administratat amerikanë nuk shohin as korrupsionin, as drogën, as keqqeverisjen e as shkatërrimin e demokracisë, sepse janë lobuar për të parë vetëm atë që qeveris.
Natyrisht, ka disa interesa pak më afatgjata sesa karriera e Ramës dhe e të tjerëve. Por ato nuk vihen në diskutim nga askush këtu. Nga ana tjetër, interesat strategjike nuk janë meritë e asnjë individi, sado dollarë lobim/korrupsioni të harxhojë.
Ndaj, kur thonë se ambasadorët bëjnë ç’u thonë shefat e tyre, nuk çuditem. Megjithëse hapësira, për të luajtur lojë personale, e tyre, është e madhe, prapë ata janë brenda linjës së lobuar/korruptuar të prezantimit të politikës sonë.
Ndaj nuk kam asnjë iluzion. Ç’del nga macja, minj do gjuajë – thonë këtej nga ne.
Shoh të vetmen zgjidhje ndaj këtij fenomeni, dialogun dhe dakortësinë e politikës sonë për t’i mbyllur nëpër ambasadat e tyre, të gjithë ambasadorët pa përjashtim. Ashtu siç ndodh kudo në botë.