“Zëri i Amerikës”: Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë 19 marrëveshje në mbledhjen e përbashkët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, thanë të hënën në Prishtinë se mospajtimet ndërmjet tyre lidhur me nismën “Ballkani i hapur”, nuk prekin marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.
Ata i bënë këto komente pas mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në Prishtinë, përgjatë së cilës nënshkruan 19 marrëveshje bashkëpunimi. Të dy kryeministrat u përpoqën të zvogëlojnë peshën e mospajtimeve rreth nismës Ballkani i Hapur, pjesëmarrjen në të cilën, Kosova vazhdon ta refuzojë.
“Në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, ky nuk është sekret, por këto këndvështrime nuk na pengojnë që në marrëdhëniet dypalëshe ne të vazhdojmë të ecim përpara. Ashtu sikundër dëshiroj ta theksoj që porosia ime për qeverinë që drejtoj është që çdo gjë që ne jetësojmë në Ballkanin e Hapur duhet ta jetësojmë edhe me Kosovën”, tha kryeministri Rama.
“Marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyeshme dhe vëllazërore dhe vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues midis njëri tjetrit. Prandaj edhe mbledhja është midis Kosovës dhe Shqipërisë që t’i forcojmë të dy shtetet tona në funksion të qytetarëve tanë, për interesin, dëshirat dhe nevojat e tyre. Ndërkaq, çështja e ngritur është e një dimensioni tjetër, pra jo dypalëshe dhe jo midis Kosovës dhe Shqipërisë, e për atë nuk kam asgjë të re ju them”, tha kryeministri Kurti.
Marrëveshjet e nënshkruara të hënën synojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, energjisë, bujqësisë, doganave, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe drejtësisë.
Në mbledhjen e sotme u paraqit edhe projekti i lidhjes së portit të ri tregtar në Porto Romano dhe linjës hekurudhore Durrës – Prishtinë me një port të thatë në Prishtinë, që u vlerësua si rrugë shumë e rëndësishme për shkëmbimin tregtar për tërë rajonin e Ballkanit.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë ndër projektet më të mëdha e më të rëndësishme për bashkëpunimin tregtar ndërmjet dy vendeve.
“Kjo hekurudhë do ta lidhë Kosovën me korridoret që kalojnë pranë nesh por nuk janë të lidhura me ne, do t’i bashkojë edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rrisë lëvizhmërinë dhe lidhshmërinë ndërmjet Republikave tona”, tha ai.
Organizatat joqeveritare në Kosovë në vazhdimësi bëjnë thirrje për thellimin e bashkëpunimit tregtar ndërmjet të dyja vendeve, duke vlerësuar se ka ende shumë mundësi të pashfrytëzuara.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se me qeverinë aktuale në Kosovë është arritur shkalla më e lartë e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara.
“Volumi tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kur ne kemi filluar këtë bashkëpunim të afërt ka qenë 136 milionë euro, një volum qesharak. Sot jemi në 433 milionë euro, që nuk është ende volumi që ne kemi ambicien të arrijmë, e kemi deklaruar që dëshirojmë të shkojmë në një miliardë, por është një volum që nuk mund ta quash më të papërfillshëm”, tha ai.
Marrëveshjet që u nënshkruan të hënën përfshijnë edhe çështje si kalimi i kufirit nga të dyja anët pa regjistrim nga organet kufitare në ditët e festave zyrtare dhe fundjavave gjatë gjthë verës.
Në mbledhjen e sotme, qeveritë e të dyja vendeve, u pajtuan që të mbahet edhe një mbledhje e përbashkët e dy parlamenteve në muajin nëntor, kur Shqipëria shënon 110 vjetorin e pavarësisë./VOA/