Zjarret në Krujë, Gonxhja: Po monitorojmë gjatë gjithë natës Pazarin e Vjetër dhe Kalanë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar gjatë natës lidhur me situatën e krijuar nga zjarri që ka përfshirë zonën e Malit të Krujës.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Gonxhja bëri me dije se vatra e zjarrit ndodhet aktualisht në zonën malore mbi qytet dhe në distancë nga Pazari i Vjetër dhe Kalaja e Krujës. Megjithatë, pozicioni i flakëve dhe kushtet e erës kanë bërë që autoritetet të rrisin gatishmërinë gjatë gjithë orëve të natës.

Ministri vlerësoi angazhimin e forcave të Emergjencave Civile, Ushtrisë, Policisë, Bashkisë Krujë, Zjarrfikësve dhe Ndihmës së Shpejtë, të cilët vijojnë operacionin për përballimin e situatës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas Gonxhes, shqetësimi kryesor gjatë natës lidhet me mundësinë që era të transportojë shkëndija apo materiale të djegura drejt zonave të banuara. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet Pazarit të Vjetër, pasi struktura e tij me elementë të shumtë prej druri e bën atë më të rrezikuar në rast përhapjeje të zjarrit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Terreni i thepisur dhe i vështirë e komplikon ndërhyrjen e forcave në këmbë, ndërsa për shuarjen e vatrës do të nevojitet ndërhyrje nga ajri. Kjo ndërhyrje, sipas ministrit, nuk mund të realizohet gjatë natës për shkak të kushteve të errësirës.

Ndërkohë, strukturat e DRTK Tiranë dhe Qendra Muzeore Krujë kanë vijuar monitorimin dhe qëndrimin në gatishmëri pranë Pazarit të Vjetër dhe Kalasë, edhe pas ndërprerjes së energjisë elektrike.

Gonxhja njoftoi gjithashtu se Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit po aktivizon një Task Force, e cila do të merret me përgatitjen e skenarëve dhe protokolleve teknike për çdo situatë të mundshme, përfshirë edhe një plan evakuimi nëse do të jetë i nevojshëm.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?