Zjarri në kodrat e Radostinës, shefi i Mbrojtjes Civile në Fier: Kemi evakuuar 7-8 familje, s’ka banesa të djegura

Zjarret që kanë përfshirë kodrat e Radostinës në Fier kanë nisur fillimisht në zonën e fshatrave Drizë dhe Fadis, për t’u përhapur më pas në zona të tjera për shkak të erës së fortë dhe terrenit të vështirë. Shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit, Kreshnik Ymeraj, thotë se në operacionin për shuarjen e flakëve janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Bashkisë Fier, ndërsa në ndihmë kanë mbërritur edhe kapacitete nga bashkitë fqinje.

Sipas Ymerajt, situata është bërë veçanërisht problematike për shkak të terrenit dhe përhapjes së shpejtë të flakëve. Zjarri ka përfshirë edhe masivin pyjor pranë zonës së mbrojtur, ndërsa flakët kanë avancuar deri në zonën e liqenit dhe pyllin e Peshtanit. Për shkak të rrezikut për banorët, janë evakuuar rreth 7-8 familje. Deri në momentin e raportimit, nuk janë evidentuar banesa të dëmtuara, megjithëse zjarri ka arritur deri në oborret e disa shtëpive. Në zonën e përfshirë nga flakët ndodhen gjithashtu njësi ekonomike dhe biznese.

Për përballimin e situatës është kërkuar edhe ndërhyrja nga ajri. Aktualisht, dy helikopterë po operojnë për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit, ndërsa në terren vijojnë të punojnë forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencave. Ymeraj theksoi se ndërhyrja nga ajri ka nisur që në momentin kur zjarri ndodhej në zona të tjera dhe se perceptimi për vonesë mund të lidhet me shqetësimin e banorëve për shkak të përhapjes së flakëve. “Do të punohet me të gjitha forcat dhe kapacitetet për ta vënë zjarrin nën kontroll”, deklaroi shefi i Mbrojtjes Civile në Prefekturën e Fierit.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?