Zjarri në Krujë dëmton linjën e tensionit të lartë, një lagje mbetet pa energji elektrike
Dy helikopterë të Forcës Ajrore vijojnë ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e vatrave aktive në malin e Krujës, ndërsa situata në zonat e banuara paraqitet e qetë pas një nate të vështirë.
Zjarri ka shkaktuar dëmtimin e një linje të tensionit të lartë, duke lënë pa energji elektrike banorët e Lagjes 2 në qytetin e Krujës. Puna për rikthimin e furnizimit me energji do të nisë pasi zona të konsiderohet e sigurt për ndërhyrje.
Gjatë natës, flakët u afruan pranë banesave dhe bizneseve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ullishte dhe pemë frutore. Një magazinë në pronësi të një biznesi është përfshirë gjithashtu nga zjarri dhe është dëmtuar.
Pavarësisht përmasave të zjarrit, nuk raportohet për persona të lënduar dhe asnjë banesë nuk është shkrumbuar nga flakët.
Aktualisht, situata në zonat e banuara është nën kontroll, ndërsa forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të angazhuara vijojnë punën në terren. Paralelisht, dy helikopterët e Forcës Ajrore po ndërhyjnë nga ajri për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të mbetura në malin e Krujës.
KOHA JONË SONDAZH

