Zjarri në magazinën e fishekzjarrëve në Shkozet, banorët: “Situata vijon të na shqetësojë”

Dy ditë pas zjarrit të fuqishëm që përfshiu një magazinë në zonën e Shkozetit dhe la pa energji elektrike qytetin e Durrësit, situata vijon të mbetet problematike.

Vatra të izoluara zjarri janë riaktivizuar herë pas here nën mbetjet e djegura, duke shkaktuar çlirimin e tymit të dendur që përhapet në zonën përreth. Familjet që jetojnë pranë objektit të djegur janë ato që po përballen më shumë me pasojat e zjarrit.

Familja Hoxha, banesa e së cilës ndodhet ngjitur me magazinën, ka pësuar dëmtime nga flakët. Për ta kjo është goditja e dytë brenda këtij viti, pasi në muajin janar shtëpia e tyre u dëmtua edhe nga përmbytjet. Banorët deklarojnë se në asnjë prej rasteve nuk kanë përfituar dëmshpërblim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ata shprehen të shqetësuar jo vetëm për dëmet materiale, por edhe për tymin që vijon të mbulojë zonën dhe krijon pasiguri për shëndetin e banorëve. Ndërkohë, forcat zjarrfikëse vazhdojnë ndërhyrjet për shuarjen e vatrave që riaktivizohen në mbetjet e magazinës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në objektin e përfshirë nga zjarri ndodheshin goma automjetesh, materiale plastike dhe fishekzjarrë, të cilat favorizuan përhapjen e flakëve dhe shtuan ndotjen e ajrit.

Një ditë më parë, policia arrestoi pronarin 38-vjeçar të magazinës së marrë me qira për aktivitet ekonomik. Ai dyshohet se i ka vënë zjarrin disa kartonave jashtë objektit, por flakët më pas kanë dalë jashtë kontrollit. Zjarri përfshiu edhe një tjetër objekt pranë magazinës dhe dëmtoi linjën elektrike 110 kilovolt që kalon mbi zonë dhe banesa.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?