Zjarri në Tërbaç, arrestohet i riu që dyshohet se vuri flakën
Policia e Himarës arrestoi një 25-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënien në fshatin Tërbaç, zjarr i cili u përhap edhe në territorin e fshatit Vranisht, duke djegur sipërfaqe të mëdha toke të mbjellë, bimësi të egër dhe pyjore.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi më 26 gusht, në vendin e quajtur “Lugu i Thatë”, në Tërbaç. Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë shkuan në vendngjarje dhe, krahas mbështetjes së forcave zjarrfikëse për shuarjen e flakëve, nisën hetimet për përcaktimin e shkakut dhe identifikimin e autorit.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe administrimit të provave materiale, u identifikua si autor i dyshuar shtetasi A. B., 25 vjeç, banues në Tërbaç, i cili u arrestua në përfundim të veprimeve procedurale. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Policia e Vlorës apeloi për qytetarët që të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve apo qëllime të tjera, ndërsa i ftoi të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie.
KOHA JONË SONDAZH

