Zjarri përfshin vreshta e ullishte në Mallakastër, evakuohen banorët
Situatë e vështirë në fshatin Koilac të Mallakastrës, ku një zjarr me intensitet të lartë ka përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme me vreshta dhe ullishte.
Flakët, të favorizuara nga erërat e forta, po përhapen me shpejtësi dhe janë afruar pranë zonave të banuara, duke rritur rrezikun për banesat e fshatit.
Në terren janë vendosur forcat zjarrfikëse të Mallakastrës, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave të zjarrit dhe mbrojtjen e banesave. Paralelisht, ka nisur edhe evakuimi i banorëve nga zonat më të rrezikuara.
Në ndihmë të ekipeve lokale kanë mbërritur forca zjarrfikëse nga Fieri, Berati dhe Lushnja, duke përforcuar operacionin për shuarjen e flakëve.
Ekipet në terren po përpiqen të krijojnë një perimetër sigurie rreth banesave dhe të pengojnë avancimin e zjarrit drejt zonave të banuara.
Era e fortë vijon të vështirësojë ndërhyrjen dhe favorizon përhapjen e flakëve. Operacioni për vënien nën kontroll të situatës po vijon pa ndërprerje, ndërsa autoritetet po monitorojnë zonat e rrezikuara.
KOHA JONË SONDAZH

