5 herë më shumë se shpejtësia e zërit! Raketat hipersonike
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, gjatë një fjalimi të fundit, tha se aktualisht po testohen shumë raketa super të shpejta hipersonike. Sipas mediave të huaja, një deklaratë e tillë vjen pasi ushtria e SHBA-së i dha një kontratë prej 2.5 miliardë dollarësh, kompanisë së hapësirës ajrore dhe mbrojtëse Lockheed Martin për t’i ndërtuar ato me qëllimin që të kishte të paktën një gati deri në fund të vitit të ardhshëm.
Përmendja nga Trump e raketave supersonike u bë shkurtimisht gjatë adresimit të tij përpara mediave të mërkurën, ndërsa foli për tensionet me Iranin, vetëm disa orë pasi forcat iraniane qëlluan me raketa bazat ushtarake që strehonin trupa amerikane në Irak. Daily Mail shkruan se nuk është sekrete që SHBA ka punuar në zhvillimin e armëve hipersonike, por fjalimi i Trump nënkuptonte se raketa të tilla tanimë janë në ndërtim. “Raketat tona janë të mëdha, të fuqishme, të sakta, vdekjeprurëse dhe të shpejta”, tha Trump.
Kombinimi i shpejtësisë, manovrimit dhe lartësisë së raketave hipersonike mund t’i bëjë ato të vështirë për t’u gjurmuar dhe përgjuar. Siç bëhet e ditur, ato udhëtojnë me më shumë se pesë herë nga shpejtësia e zërit ose rreth 3,853 milje në orë. Disa do të udhëtojnë edhe deri në 15,000 milje në orë, që sipas studiuesve të armëve, është rreth 25 herë më shpejt se avionët modernë të pasagjerëve.