7 vende të BE do pranojnë 1,600 fëmijë emigrantësh nga kampet greke

Vendet e tjera anëtare të BE kanë thënë se janë të gatshëm të mirëpresin rreth 1.600 emigrantë të mitur nga kampe dhe qendra pritjeje në ishujt grekë.

Njofitmin e dha të premten e 13 marsit, Komisionerja Evropiane për Punë të Brendshme, Ilva Johansson.

”Shtatë vende, Kroacia, Gjermania, Finlanda, Franca, Irlanda, Luksemburgu dhe Portugalia janë pajtuar me planin”, tha ajo.

Johansson theksoi se më shumë vende janë të gatshme të marrin pjesë në iniciativën e zhvendosjes ose janë duke e konsideruar këtë, pa specifikuar se kush është.

Ministrat e brendshëm të BE u takuan dje në Bruksel për të diskutuar, ndër të tjera, për tensionet në kufirin Greqi-Turqi, pas vendimit të Ankarasë për të hapur kufijtë e saj për emigrantët që duan të arrijnë në Evropë.

Ministrat u informuan për zhvillimet e fundit në kufijtë e jashtëm të BE me Turqinë.

Ata diskutuan gjithashtu për epideminë e koronavirusit, i cili ende po përhapet në Evropë.

Austria, Republika Çeke, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia kanë vendosur masa kufizuese për 26 vendet e Shengenit, duke përmendur shqetësimet e shëndetit publik, por Komisioni Evropian është kundër kufizimeve të udhëtimit në zonën e lëvizjes së lirë.

Në vend të kësaj, Komisioni është duke punuar për hartimin e udhëzimeve për transferimin në zonën Shengen duke pasur parasysh përhapjen e Covid-19, shpjegoi Johansson, duke shtuar se udhëzimet do të paraqiten sa më shpejt të jetë e mundur.

Direktivat e Komisionit Evropian ka të ngjarë të propozojnë zbatimin e kontrolleve mbi shëndetin e udhëtarëve në kufijtë e jashtëm të BE-së ose brenda zonës së Shengenit. Kontrollet e tilla lejohen sipas rregulloreve të zonës Shengen sepse nuk konsiderohen ndalime, tha Komisioneri Evropian.

SHKARKO APP