Amnistohen rebelët e FARC, drejt mbylljes konflikti gjysmë-shekullor
Ndonëse me debate të shumta, Kongresi Kolumbian ka miratuar një ligj i cili parashikon faljen e rebelëve të FARC që kanë kryer krime, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit që ka vijuar prej më shumë se gjysmë shekkulli. Amnistia është kritikuar ashpër nga forcat opozitare, ndërkohë që Presidenti i vendit, Juan Manuel Santos, u shpreh se ky është hapi i parë drejt konsolidimit të plotë të paqes dhe stabilitetit.
Kongresi kolumbian ka miratuar më në fund një ligj i cili amniston rebelët e FARC që kanë kryer krime të lehta në të shkuarën, veprim i cili është konsideruar si hapi i parë konkret në rrugën drejt dhënies fund të konfliktit që ka vijuar prej më shumë se gjysmë shekulli.
Ky ligj mjaft i kritikuar mori 69 vota në senatin me 102 vende si dhe 121 vota në Dhomën e ulët të Parlamentit, e cila ka në total 166 deputetë.
Megjithatë, për t’u theksuar është fakti se opozita nuk e ka përkrahur nismën e qeverisë, duke bojkotuar procesin e votimit.
I menjehershëm ka qënë reagimi i Presidentit, Juan Manuel Santos, i cili u shpreh se ky është një progres në përpjekjet për të ndaluar konfliktin.
Megjithatë, ai shtoi se ka ende shumë punë për t’u bërë deri në konsolidimin e plotë të paqes dhe stabilitetit.
Përplasjet e armatosura mes qeverisë së Kolumbisë dhe rebelëve të FARC kanë nisur që në vitin 1962.
Që prej atëherë, më shumë se 260.000 persona kanë humbur jetën ndërkohë që miliona banorë janë detyruar që të zhvendosen nga shtëpitë e tyre.
Aktualisht pritet që të nisë zbatimi i ligjit të aministisë, ku fillimisht rebelët do të paraqesin përpara zyrtarëve të githa krimet që kanë kryer gjatë luftimeve.
Kjo fazë do të ndiqet nga një proces gjykimi, ku pritet falja e luftëtarëve që kanë kryer krime të lehta dhe ndëshkimi i individëve që kanë kryer krime të rënda.
Megjithatë, ligji i propozuar nga ekzekutivi ka marrë kritika të ashpra nga forcat opozitare, të cilat nënvizojnë se organet shtetërore do të tregohen jo të drejta kundrejt personave që kanë shkelur ligjin.
KOHA JONË SONDAZH

