Analiza/ Alepo, një fitore ushtarake, diplomatike dhe personale për Putin
Fitorja e regjimit sirian në Alepo pas më shumë se katër viteve luftë të ashpër është gjithashtu dhe fitorja e Rusisë, fuqisë së saj ushtarake dhe e një Vladimir Putini që u fut në boshllëkun e krijuar nga mosangazhimi progresiv i Barack Obamës.
Kur, më 30 shtator 2015, presidenti rus urdhëroi vendosjen e ushtrisë së tij në Siri, trupat e Bachar al-Assad po dështonin. Në muajin e 14, mbështetja vendimtare e rusëve vuri në lëvizje presidentin sirian dhe mundësoi marrjen e plotë të Alepos.
Ja se si Moska ka përdorur kartat në konfliktin sirian:
– Përmbysja e tryezës –
Bombardimet, avionët luftarakë dhe helikopterët që operonin nga baza e tyre ajrore e Hmeimimit, në veriperëndim të Sirisë kanë treguar hyrjen brutale të Moskës në Lindjen e Mesme.
Zyrtarisht, asnjë aparat i aviacionit rus nuk ishte afruar më shumë se 10 kilometra nga Alepo që prej 18 tetorit. Por linja e mbrojtjes së rebelëve në lagjet e zonës lindore të qytetit u shkatërrua muaj më parë nga goditjet e dhunshme.
“Pa ndërhyrjen ruse, asgjë nuk do të kishte ndodhur në Alepo”, thekson Alexei Malachenko, analist në qendrën, Carnegie në Moskë. “Të gjitha përpjekjet janë përqendruar në Alepo”.
Nëse Kremlini nuk ka vendosur zyrtarisht trupa tokësore në Siri, ai pranon praninë e këshilltarëve ushtarakë. Sipas ekspertëve, roli i tyre ka qenë vendimtar në avancimin e mbështetësve të Asadit në Alepo.
Në Moskë, televizioni publik ka treguar gjithashtu video të snajperave në veprim, pa dhënë detaje nëse ishin vendosur në Alepo apo gjetkë.
Për më tepër nga ndikimi i saj vendimtar në luftën kundër rebelëve, prania e avionëve, anijeve luftarake në brigjet siriane dhe bateritë antiajrore kanë qenë një avantazh për ushtrinë e Assad. Kjo ka penguar në fakt çdo mundësi për një ndërhyrje të perëndimorëve.
– Një fitore, jo një triumf –
Për Kremlinin, rrëzimi i rebelëve në Alepo mund të përmblidhet në një formulë. Bëhet fjalë për kurorëzimin e ndërhyrjes së parë ushtarake ruse jashtë kufijve të saj që prej katastrofës nga eskperienca afgane (1979-1989).
Por, kryesisht, Vladimir Putin shfaqet më shumë se kurrë si mësues i lojës së një konflikti rajonal me pasoja botërore, në udhëkryqin e betejave të influencës mes iranianëve dhe sauditëve, myslimanëve shiitë dhe sunitë, në sfondin e krizës së migrantëve në Evropë.
Si shenjë e mënjanimit të amerikanëve dhe evropianëve, ai diskutoi drejtpërdrejt me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan për evakuimin e civilëve të fundit dhe rebelëve nga Alepo. Dhe një takim i 27 vendeve të BE-së në Moskë me zyrtarët turq dhe iranianë do të zhvillohet pa sekretarin amerikan të Shtetit.
“Objektivi i parë i ndërhyrjes ishte për të detyruar Perëndimin të fliste me Putinin, pas izolimit të shkaktuar nga kriza ukrainase”, thekson eksperti ushtarak i pavarur, Alexandre Golts.
“Problemi është rikthimi në pikën e nisjes pas një rrethi të plotë. Rusia është tashmë e izoluar për shkak të fitores në Siri”, shton ai.
Megjithatë, operacionet ushtarake nuk janë zhvilluar në mënyrë aq perfekte sa do të kishte dashur Ministria e Mbrojtjes. Aksidentet e aeroplannmbajtëses “Amiral Kouznetsov”, që ka humbur dy avionë për probleme teknike, kanë treguar se trashëgimia e Ushtrisë së Kuqe kishte ende rrugë për të bërë.
– Dhe më pas? –
Në momentin kur Damasku dhe mbrojtësi i tij po bëheshin gati për të festuar fundin e afërt të rebelëve në Alepo, një lajm i keq do të vinte nga qyteti antik i Palmirës, ripushtuar nga xhihadistët e organizatës së Shtetit Islamik tetë muaj pas rimarrjes së saj.
Fati i Palmirës, edhe pse qyteti nuk ka asgjë të ngjashme me Alepon për nga përmasat, popullsia dhe pozita gjeografike, ilustron kapacitetet e limituara të ushtrisë siriane dhe sfidën për të ardhmen për Kremlinin.
“Kontrollit të një qyteti të madh si Alepo i nevojitet një kontigjent i madh ushtarak sirian si dhe një mbështetje ruse e përhershme”, thekson Alexei Malachenko.
Përveç të tjerave, mungesa e bisedimeve me rebellët komplikon çdo shpresë për një paqe të negociuar në Alepo si dhe në mbarë Sirinë.
Dhe pas më shumë se një viti për të treguar kapacitetin e tij si shef lufte, më e rëndë për Vladimir Putin do të jetë të transformohet në paqebërës. Një pjesë e përgjigjes do të jepet në marrëdhëniet që ai do të mbajë duke nisur nga 20 janari me presidentin e ri të SHBA-së, Donald Trump.
(Nga Karim Talbi dhe Olga Rotenberg – AFP) /ata/
KOHA JONË SONDAZH

