Autori i sulmit në Teksas, kishte shkruar në Facebook para se të vriste 19 nxënës dhe 2 mësues

18-vjeçari nga Teksasi që vrau 19 fëmijë dhe dy mësues, kishte shkruar në Facebook se do të hapte zjarr në një shkollë fillore rreth 15 minuta para se ta bënte një gjë të tillë, tha të mërkurën guvernatori Greg Abbott, ndërsa vazhdonin të dilnin detaje tronditëse rreth sulmit.

Autori i armatosur, i identifikuar si Salvador Ramos, kishte postuar gjithashtu një mesazh ku thoshte se do të qëllonte gjyshen e tij, si dhe një tjetër që konfirmonte se ai e kishte bërë një gjë të tillë, tha zoti Abbott në një konferencë shtypi. Gjyshja të cilën Ramos e qëlloi në fytyrë pak para se të sulmonte shkollën, mbijetoi dhe thirri policinë.

Ramos u largua nga shtëpia ku jetonte me gjyshërit e tij dhe përplasi makinën e tij pranë shkollës fillore Robb në Uvalde, Teksas. Ai hyri në shkollë nga një derë e pasme duke mbajtur një armë me kapacitet sulmues AR-15 dhe me pajisje taktike.

Ai u mbyll në një klasë të klasës së katërt, thanë autoritetet, dhe vrau nxënës dhe mësues përpara se të qëllohej për vdekje nga një oficer i Patrullës Kufitare të Shteteve të Bashkuara, tha zoti Abbott. 17 persona të tjerë pësuan lëndime pas rrezik për jetën.

Postimet në Facebook ishin i vetmi paralajmërim paraprak i vrasjes në masë, tha guvernatori Abbott, duke shtuar se Ramos nuk duket të ketë precedentë penalë ose histori problemesh të shëndetit mendor.

Ramos bleu dy pushkë dhe qindra fishekë disa ditë përpara sulmit, raportuan disa media, duke cituar një senator të shtetit të Teksasit i cili ishte informuar nga forcat e rendit.

Sulmi, i cili ndodhi 10 ditë pasi një supremacist i bardhë qëlloi 13 persona në një supermarket në një lagje kryesisht me ngjyrë në Buffalo, ka ringjallur një debat kombëtar mbi ligjet e për armët në SHBA. VOA

SHKARKO APP