Autoritetet në Maqedoninë e Veriut: Jo orë policore, gjendja po stabilizohet

Shifrat shpresëdhënëse të muajit të fundit tregojnë se beteja e mjekëve dhe pacientëve po avancon ndaj virusit Covid-19. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp tha se kulmi i pandemisë është regjistruar javën e kaluar, gjegjësisht të martën kur kishte 1.407 raste të reja.

Filipçe deklaroi se inkurajues është edhe numri i lartë i personave që e mposhtin sëmundjen Covid-19. Edhe pse Maqedonia është vendi i 8 në botë për infektimet në 1 milion banorë, ai tha se diferenca e personave të shëruar është ngushtuar në më pak se 10 përqind.

Ministri shprehet optimist se shifrat aktuale janë stabilizuar, duke shtuar se nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese, ndërsa rezultatet e atyre aktuale i pret ditëve në vijim.

”Numri i rasteve të reja është ngadalësuar, praktikisht jemi në nivelin e një rrafshnalte pas periudhës prej 2 deri 4 javë ku rritja të diagnostikuarve pozitiv ishte e shpejtë. Kjo është dëshmi se faktori R-0 i përhapjes së infeksionit dukshëm është zvogëluar. Sipas vlerësimeve tona 1 është koeficienti në këtë periudhë. Për fat të keq rritje ka tek rastet e vdekjes, si në nivel botëror ashtu edhe te ne”, tha Venko Filipçe.

SHKARKO APP