BBC -“Do t’ju vrasim dhe do t’ju djegim shtëpinë”: Inspektorët britanikë nën sulm nga bandat kriminale
Inspektorët që kontrollojnë bizneset dhe mbrojnë konsumatorët në Mbretërinë e Bashkuar po përballen gjithnjë e më shumë me kërcënime dhe dhunë nga banda kriminale. Ata po përballen me presion të vazhdueshëm gjatë kontrolleve në mini-markete dhe dyqane. Rasti i Mandyt tregon se sa serioze është bërë situata. Autoritetet paralajmërojnë se nevojitet më shumë mbështetje për t’u përballur me këtë problem në rritje.
Një telefonatë në mesnatë nga një bandë kriminale që vepronte në rrugët tregtare, me kërcënime për ta vrarë hetuesen Mandy dhe për t’i djegur shtëpinë, ishte vetëm fillimi i një fushate të vazhdueshme frikësimi që në fund e detyroi atë dhe bashkëshortin të ndryshonin vendbanimin.
Ajo u përball me kërcënime gjithnjë e më të rënda nga një grup kriminal me origjinë kurde, i cili shiste cigare të paligjshme dhe bombola me gaz nitrous oxide në mini-markete në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Grupe burrash shkonin vazhdimisht te dera e saj dhe makina e saj u përplas dy herë qëllimisht, duke e nxjerrë nga rruga.
Mandy është një nga 24 inspektorët e standardeve tregtare që kanë ndarë përvojat e tyre mbi dhunën dhe intimidimin e përditshëm nga bandat kriminale që drejtojnë mini-markete dhe dyqane vape (cigare elektronike), ndërsa ata përpiqen të hetojnë shkeljet dhe të zbatojnë ligjet për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas dëshmive të ndara ekskluzivisht për BBC News, inspektorët përballen me:
*Kërcënime ekstreme – një inspektor tregon se një i dyshuar në një dyqan i bërtiti “Do të të vras” dhe më pas kërcënoi një kolege femër me përdhunim
*Abuzim seksual të përsëritur – një inspektore u “kap me forcë” dhe u detyrua të shikonte materiale pornografike, ndërsa një tjetër u prek në mënyrë të papërshtatshme
*Armë të gjetura në dyqane – përfshirë sëpata, shkopinj, thika dhe çekanë, si dhe një armë zjarri e zbuluar në një makinë të lidhur me një biznes
*Sulme ndaj makinave dhe pronës së inspektorëve – përfshirë vendosjen e pajisjeve gjurmuese dhe ndjekje gjatë punës
*Tentativa për t’i goditur me makinë – një rast ku një automjet u ngjit në trotuar për të përplasur një inspektor
Përndjekja deri në shtëpi
Krimi i organizuar në rrugët tregtare është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, sipas Institutit të Standardeve të Tregtisë (CTSI). Një sondazh i fundit me më shumë se 2.000 anëtarë tregon se 96% e ekipeve në terren përballen tashmë me këtë fenomen.
Më shumë se 70% e inspektorëve – që punojnë për autoritetet lokale në Angli, Uells dhe Skoci, si dhe në nivel qendror në Irlandën e Veriut – kanë përjetuar kërcënime ose dhunë.
Në disa zona, mendohet se gjysma e mini-marketeve dhe dyqaneve me vape (cigare elektronike), si dhe deri në një e treta e dyqaneve të ëmbëlsirave amerikane, kanë lidhje me krimin e organizuar.
Për herë të parë, CTSI ka identifikuar edhe zonat ku këto banda janë më aktive. Të dhënat tregojnë se krimi nuk është i përqendruar vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në qytete më të vogla dhe madje në fshatra.
Sipas drejtorit ekzekutiv të CTSI, John Herriman, shfaqja alarmante e krimit të organizuar është “kërcënimi numër një” për këtë profesion.
Qeveria britanike ka deklaruar se po punon me policinë, Agjencinë Kombëtare të Krimit dhe autoritetet përkatëse për të ndërmarrë masa të rrepta kundër këtyre bizneseve kriminale.
Kërcënimet ndaj Mandyt ndodhën ndërsa ajo po ndihmonte në ndjekjen penale të një bande të sofistikuar që operonte një rrjet me mbi 50 dyqane në të gjithë vendin.
Gjatë gjyqit, ajo tregon se u ndoq deri në shtëpi dhe u shënjestrua nga të pandehurit, të cilët ishin të lirë me kusht.
“Ata zbuluan se ku jetoja dhe pastaj tre ose katër prej tyre rrinin ulur përpara shtëpisë sime”, thotë ajo.
Një nga të pandehurit arriti të siguronte numrin e saj personal dhe i dërgoi mesazhe agresive, duke kërkuar kthimin e parave të sekuestruara gjatë kontrollit të dyqanit të tij.
“Duhet të keni parasysh, ai ishte një azilkërkues i refuzuar, pa të drejtë pune. Ndërkohë ngiste një BMW të re”, shton Mandy.
Frikësimi vazhdonte pa ndërprerje. Natën kur mori telefonatën kërcënuese në mesnatë, ajo ishte vetëm në shtëpi.
“Në telefon ishte një burrë që bërtiste. Dëgjoja edhe burra të tjerë në sfond”.
Sipas saj, ai i tha: “A e di me kë po merresh? Duhet të ndalosh menjëherë. Nëse jo, do të vrasim ty dhe bashkëshortin tënd, dhe do t’ju djegim shtëpinë”.
Disa muaj më vonë, makina e saj e re, e parkuar jashtë shtëpisë, u përplas gjatë natës nga një makinë pa sigurim, e lidhur me një nga të pandehurit.
“Ishte mbi 10.000 funte dëmtim. Makina ishte e re, vetëm tri javë e kishim”, thotë ajo.
Pasi u riparua, makina u përplas sërish në mes të natës dhe këtë herë u shkatërrua plotësisht. Sipas saj, u godit nga një tjetër automjet i lidhur me të njëjtin grup.
Pas dy vjetësh frikësimi të vazhdueshëm, presioni u bë i papërballueshëm për Mandyn dhe bashkëshortin e saj. Ata vendosën ta shesin shtëpinë dhe të shpërnguleshin.
“Kjo duhej të ishte shtëpia ime për gjithë jetën dhe sapo kishim përfunduar rinovimin pas 10 vjetësh”, thotë ajo.
Me këshillën e policisë, çifti përdori tri kompani të ndryshme transporti dhe e organizoi shpërnguljen në faza, për t’u siguruar që kriminelët të mos zbulonin adresën e re.
“Unë emigrova për t’i shpëtuar asaj ndjenje frike brenda shtëpisë tënde”, tregon ajo.
Ajo shton se të pandehurit që e kishin kërcënuar u dënuan me burg për pastrim parash, shitje të paligjshme duhani dhe mashtrim.
Krimet e tyre, së bashku me historinë personale të Mandyt, japin një pamje edhe më të qartë për përmasat e kriminalitetit në rrugët tregtare në Mbretërinë e Bashkuar.
Më herët këtë muaj, u zbulua se kokaina dhe kanabisi po shiten hapur në dyqane në qytete të rajonit West Midlands – gjë që bëri që kryeministri të premtonte më shumë polic në lagje.
Në Londër një praktikante femër në fushën e Standardeve të Tregtisë, e cila kërkoi të mbetet anonime, tha se nuk e kishte imagjinuar kurrë që puna e saj do të ishte kaq e rrezikshme.
“Sapo hyj në rrugën kryesore, të gjithë sytë janë mbi mua – katër ose pesë burra fillojnë menjëherë të lëvizin dhe të dërgojnë mesazhe”, thotë ajo.
Inspektorët e Standardeve të Tregtisë nuk kanë kompetencë për arrestime, por mund të kontrollojnë ambiente, të sekuestrojnë prova dhe të kërkojnë ndihmën e policisë.
Gjatë kontrolleve për cigare dhe vape të paligjshme, praktikantja tregon se është mbyllur brenda dyqaneve dhe, në një rast, është përballur me komente seksuale nga një punonjës që i tha se do ta gjente në rrjetet sociale.
“Kthehesh në shtëpi duke u ndjerë sikur je përherë e papastër, sikur asnjë dush nuk të bën të ndihesh më mirë”, thotë ajo. Sipas saj, pa mbështetjen e kolegëve, do ta kishte lënë punën.
Net stresuese
Netët para aksioneve në dyqane janë shumë stresuese, shton ajo. “Nuk fle mirë… kam makthe… nuk e di çfarë do të shoh apo me çfarë do të përballem”.
Andrew Meaney, një inspektor i Standardeve të Tregtisë në Whales me mbi 36 vjet përvojë, thotë se shpesh i duhet të veshë jelek antiplumb gjatë punës në terren.
“Puna – përballja me grupe të krimit të organizuar, është bërë më e rrezikshme”, thekson ai.
Andrew tregon se është sulmuar fizikisht nga një punonjës dyqani, pasi e kishte ndaluar të largohej me një makinë të mbushur me duhan të paligjshëm.
“Ai u bë shumë agresiv, u hodh drejt meje, më kapi për fyti… pastaj më pështyu në fytyrë”.
Andrew shprehet i zhgënjyer që autori u dënua vetëm me një gjobë prej 415 funtesh për sulm fizik – një shumë që, sipas tij, mund të fitohet brenda një dite nga shitja e cigareve të paligjshme.
Mandy i tha BBC-së se “situata në vend po ndryshon” sa i përket nivelit të kërcënimeve që përballen inspektorët nga krimi i organizuar – ndërsa kolegët e saj nuk janë të pajisur apo të trajnuar siç duhet për t’u përballur me këtë realitet.
Instituti i Standardeve të Tregtisë (CTSI) kërkon më shumë kompetenca, në mënyrë që inspektorët të mund të mbyllin më lehtë dhe për periudha më të gjata dyqanet që veprojnë në mënyrë të paligjshme.
Aktualisht, dyqanet mund të mbyllen deri në tre muaj sipas ligjeve për sjellje antisociale, por shpesh nevojiten dëshmi mbështetëse nga biznese të tjera dhe nga publiku.
Madje, është raportuar se disa kriminelë, pasi u mbyllet një dyqan, hapin menjëherë një tjetër afër.
Qeveria britanike ka njoftuar krijimin e një grupi të ri pune për të forcuar luftën kundër aktivitetit të paligjshëm në rrugët tregtare dhe pastrimit të parave – duke përfshirë edhe 120 praktikantë të rinj në këtë fushë, të mbështetur me 10 milionë paund në vit për tri vjetët e ardhshme.
“Nga marsi 2025, kemi kontrolluar mbi 3.000 ambiente të dyshuara për aktivitet kriminal dhe kemi arrestuar pothuajse 1.000 persona”, thuhet në deklaratë.
CTSI kërkon një investim prej 100 milionë funtesh për të financuar më shumë inspektor. Sipas drejtorit ekzekutiv John Herriman, kjo do të siguronte më shumë prani në terren për të “parandaluar që krimi i rëndë dhe i organizuar të zërë rrënjë”.
“Ne nuk jemi krijuar për t’u përballur me krimin e rëndë dhe të organizuar”, përfundon ai.
KOHA JONË SONDAZH

