BE miraton “Certifikatën digjitale të COVID-19”, kur hyn në fuqi

Është arritur marrëveshja midis Parlamentit Europian, Këshillit Europian dhe Komisionit Europian për certifikatën  digjitale COVID-19 që do t’i mundësojë europianët të udhëtojnë sërish brenda Bashkimit Europian.

Dokumenti do të quhet zyrtarisht “EU Digital certificate COVID-19” dhe nuk do të jetë thjesht një certifikatë vaksinimi, por do të përfshijë edhe të gjithë ata që e kanë kaluar pandeminë, ose që rezultojnë negativë nga testimet.

Certifikata është krijuar për të lejuar udhëtime pa kufizime brenda BE përpara sezonit turistik të verës.

“Për disa javë, ne do të kemi një certifikatë të unifikuar evropiane COVID-19, e cila do të njihet në të gjithë BE dhe do të thjeshtojë masivisht udhëtimet ndërkufitare,” tha Jeroen Lenaers, Eurodeputet nga blloku i Partisë Popullore Evropiane të qendrës së djathtë, i cili kishte kryesuar iniciativën.

Bazuar në marrëveshjen e arritur të enjten në mbrëmje nga BE, e cila në çdo rast do të duhet të shqyrtohet nga Parlamenti Evropian para se të hyjë në fuqi më 1 korrik dhe e cila do të jetë në tryezën e liderëve evropianë në samitin e së hënës dhe së martës, certifikata do të jetë në dispozicion si në format dixhitale dhe në letër.

Pas miratimit të certifikatës digjitale të COVID-19 vendet e BE nuk do të vendosin kufizime të mëtejshme të udhëtimit, të tilla si karantina, vetë-izolimi ose tamponët, “përveç nëse masa të tilla janë të nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin publik” në përgjigje të pandemisë COVID-19. Çdo masë kufizuese duhet në çdo rast t’u njoftohet shteteve të tjera anëtare dhe Komisionit të paktën 48 orë para hyrjes në fuqi.

SHKARKO APP