Bisedime në Vjenë për marrëveshjen bërthamore me Iranin
Palët e mbetura në marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore takohen sot në Vjenë. Takimi do të drejtohet nga zyrtarja e lartë e Bashkimit Evropian, Helga-Maria Schmid, ndërsa do të marrin pjesë përfaqësues nga Britania, Kina, Franca, Gjermania, Irani dhe Rusia.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja historike e vitit 2015 më shumë se dy vjet më parë dhe, që atëherë, kanë rivendosur sanksione ndaj Iranit, i cili, nga ana e tij, ka rritur aktivitetet bërthamore. Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia po luftojnë për të shpëtuar marrëveshjen, e cila i ka lehtësuar sanksionet kundër Iranit, në këmbim të zvogëlimit të programit të tij bërthamor.
Javën e kaluar, Irani ka rënë dakord që t’i ofrojë qasje Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në dy lokacione të tij, ku dyshohet se ka pasur aktivitet të padeklaruar bërthamor në vitet 2000. Irani e ka ndërmarrë këtë hap pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka bllokuar përpjekjen e SHBA-së për të rivendosur sanksione ndërkombëtare kundër Republikës Islamike.