Bisedimet SHBA-Iran në ngërç: Diplomati iranian largohet nga Islamabadi, të dërguarit e Trump mungojnë
Pezullimi i bisedimeve në Islamabad nxjerr në pah se sa e ndërlikuar dhe e brishtë mbetet situata mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, raportoi AP.
Përpjekjet për një armëpushim janë ndërprerë, pasi kryediplomati iranian, Abbas Araghchi u largua nga Pakistani, ndërsa të dërguarit e Donald Trump nuk morën pjesë, pasi ai u kishte kërkuar të mos udhëtonin drejt kryeqytetit pakistanez.
Trump sinjalizoi se tashmë nisma i takon Iranit, duke deklaruar se nëse Irani dëshiron të bisedojë, duhet të kontaktojë Uashingtonin.
Këto negociata synonin të vazhdonin një raund historik takimesh të drejtpërdrejta të zhvilluara më herët gjatë muajit mes SHBA-së dhe Iranit, ku pala amerikane përfaqësohej nga JD Vance dhe udhëheqësi iranian, Mohammad Bagher Qalibaf.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë ngritur pikëpyetje mbi besueshmërinë e SHBA-së, sidomos pasi forcat amerikane vendosën një bllokadë ndaj porteve iraniane në përgjigje të kontrollit të Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit.
Ky zhvillim ka minuar besimin dhe ka komplikuar çdo përpjekje për dialog.
Araghchi u largua nga Islamabadi dje në mbrëmje dhe u drejtua për në Oman, një vend që ka shërbyer shpesh si ndërmjetës në bisedime të mëparshme.
Ai deklaroi se do të rikthehej në Pakistan përpara se të udhëtonte drejt Rusisë.
Sipas tij, Irani ka paraqitur një kuadër të mundshëm për t’i dhënë fund luftës, por mbetet për t’u parë nëse SHBA-ja është serioze për diplomacinë.
Paralelisht, një tjetër armëpushim — ai mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah — u “trondit”, pasi të dyja palët shkëmbyen sulme.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu urdhëroi ushtrinë të godasë me forcë objektivat e Hezbollahut në Liban.
Irani deklaroi më herët se çdo bisedim me SHBA-në do të ishte indirekt, me ndërmjetësimin e zyrtarëve pakistanezë.
Nga ana tjetër, Trump pretendoi se pasi anuloi udhëtimin e të dërguarve të tij — Steve Witkoff dhe Jared Kushner — Irani paraqiti një propozim “shumë më të mirë”, pa dhënë detaje, por duke theksuar se një kusht i panegociueshëm është që Irani të mos zotërojë armë bërthamore.
Pikat më të debatueshme në bisedime mbeten programi bërthamor i Iranit, rezervat e uraniumit të pasuruar, tensionet në Ngushticën e Hormuzit, si dhe programi raketor dhe mbështetja e Iranit për grupet e armatosura në rajon.
Teherani ka theksuar gjithashtu se përvojat e mëparshme me negociatat indirekte kanë përfunduar me sulme nga SHBA-ja dhe Izraeli, duke rritur skepticizmin e tij.
Ndërkohë, tensionet në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë ende.
Çmimi i naftës “Brent” është rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës, për shkak të rëndësisë strategjike të kësaj rruge, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës botërore.
Irani ka sulmuar disa anije javën e kaluar, ndërsa SHBA-ja mban bllokadën ndaj porteve iraniane dhe ka urdhëruar masa të ashpra kundër çdo kërcënimi detar.
Në të njëjtën kohë, Irani rifilloi fluturimet komerciale nga aeroporti ndërkombëtar i Teheranit – për herë të parë që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael më 28 shkurt.
Fluturimet janë planifikuar drejt Stambollit, Muskatit dhe Medinas.
Bilanci i luftës mbetet i rëndë edhe pse armëpushimet janë pjesërisht në fuqi, me mijëra të vrarë në Iran dhe Liban, si dhe viktima në Izrael dhe shtetet arabe të Gjirit.
Gjithashtu janë vrarë ushtarë izraelitë, trupa amerikane dhe paqeruajtës të OKB-së.
Megjithëse është shpallur një zgjatje e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut, përplasjet vazhdojnë ende, duke treguar se situata mbetet e paqëndrueshme dhe rreziku për përshkallëzim të mëtejshëm është ende i lartë. //a.i/ ATSH
KOHA JONË SONDAZH

