Britania e Madhe përkujton 10-vjetorin e sulmeve terroriste
Kryeministri britanik, David Cameron drejtoi shërbimin përkujtimor sot me rastin e 10-vjetorit të sulmeve terroriste të cilat lanë të vrarë 52 persona dhe plagosën 700 të tjerë në qendër të Londrës.
“Sot të gjithë mblidhemi bashkë për të kujtuar viktimat e një prej sulmeve më te forta terroriste në Britani,” deklaroi Cameron përpara fillimit të shërbimit në memorialin 7/7 në Hyde Park.
Duke përmendur sulmet ndaj turistëve javën e kaluar ne Tunizi, ku nga 38 viktima, 30 ishin qytetarë anglezë, ai tha se kjo tregon se “kërcënimi nga sulmet terroriste vazhdojnë të jetë ende te pranishme”.
“Por, ne kurrë nuk do përulemi nga terrorizmi,” u shpreh Cameron.
“Do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi që të sigurojmë jetën e qytetarëve, të mbrojmë mendjet e ‘buta’ të të rinjve nga besimet ekstremiste të të tjerëve dhe të promovojmë vlerat e përbashkëta të tolerancës, dashurisë dhe respektit, të cilat e bëjnë Britaninë kaq madhështore”, theksoi ai.
Cameron, kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johanson dhe komisioneri i Policisë së Metropolit, Bernard Hogan-Howe vendosën kurora me lule te memoriali.
Hogan-Howe u shpreh se ngjarja e së martës ishte “për të reflektuar mbi qytetin tonë, sesa shpejt ne u mblodhëm së bashku për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për t’u dërguar një mesazh terroristëve se Londra ka qenë, është dhe do të jetë e fortë dhe e bashkuar”.
Shërbime të tjera përkujtimore janë llogaritur të mbahen pasditen e së martës, përfshirë këtu edhe atë të princit Uilliams në katedralen e Shën Palit, në Londër.
KOHA JONË SONDAZH

