Çfarë po ndodh në Itali/ Salvini drejt një koalicioni me Silvio Berluskonin
Situata politike në Itali është më e nxehtë se këto ditë përvëluese të gushtit.
Politika është e ndarë në dy kampe.
Në njërin kamp është Matteo Salvini lideri i ‘Lega Nord’ që kërkon të çojë vendin në zgjedhjet dhe nga ana tjetër është vendosur ish-kryeministri i Italisë, Metteo Renzi.
Ky i fundit kërkon që bashkë me ‘5yjet’ dhe partitë e tjera të formojë një qeveri institucionale ose pak a shumë teknike.
Siç shkruan Huffingtonpost, fundjava italiane ka qenë shumë përvëluese.
Matteo Salvini i ka dalë kundër aleatit qeverisë ‘5 Yjeve’. Ai kërkon që Italia të shkojë në zgjedhje të reja dhe të krijojë një shumicë të re.
Për këtë Salvini duket se kërkon mbështetjen e ish-kryeministrit italian, Silvio Berluskoni.
Pakti i ministrit të Brendshëm dhe zv/kryeministrit Matteo Salvini për Berlusconin është i thjeshtë: Më ndihmo që të cojmë vendin në zgjedhje dhe do të dalim së bashku në zgjedhje me lista të pranueshme nga të dy palët.
Salvini kërkon bashkëpunimin me Forza Italian. Sipas Huffingtonpost, lideri i Lega Nord kërkon zgjedhje të reja, pasi është i bindur se do të dalë forcë e parë
Sondazhet aktualisht i japin atij 35%, më shumë se çdo parti tjetër në Itali. Një koalicion me Silvio Berlusconin do të bënte që qeveria e re italiane të formohej vetëm nga Lega Nord dhe Forza Italia.
Nga ana tjetër qëndron ish-kryeministri dhe ish-kreu i PD-së italiane, Matteo Renzi. Edhe ky i ka telefonuar Silvi Berlusconit.
Si i majtë që është Renzi kërkon që të shkatërrojë planin e Salvinit. Ditët e fundit Renzi ka zhvilluar telefonata të shumta me liderët e partive politike dhe senatorët italiane.
Plani i Renzit është i thjeshtë: Ti bëjë bashkë të gjitha partitë, duke përjashtuar Lega Nord të Salvinit dhe të krijojë një qeveri institucionale, ose thënë ndryshe teknike.
Kjo qeveri do të drejtohet nga ‘5Yjet’, por do të ketë pjesëmarrës nga të gjitha partitë politike. Matteo Renzi është aktivizuar shumë ditët e fundit, pas dështimit të takimit të kryeministrit italian me presidentin, duke mos gjetur asnjë zgjidhje.
Me orët që kalojnë, situata në Itali bëhet edhe më e nxehtë dhe gjithçka duhet të vendoset deri nesër në orën 16:00.
Kjo sepse nesër në këtë orë do të ketë një konferencë për mediat nga shefat e grupeve parlamentare italiane të cilët do të vendosin se çfarë do të ndodhë: Italia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo do të krijohet një qeveri ku të bëjnë pjesë të gjithë, përveç Matteo Salvinit.
Përgatiti SYRI.net