Europës i duhen miliardat e Kinës, por a e di çmimin që duhet të paguajë?
Nga Juliet Ferguson
Treni i nisur nga Yiwu drejt Londrës, lëviz furishëm mbi shina 18 ditë pas largimit nga qyteti kinez, një zonë e rëndësishme tregtare në jug të Shangait. Gjatë udhëtimit të tij prej 12,000 kilometrash në Europë, ai kalon në Kazakistan, Rusi, Bjellorusi, Poloni, Gjermani, Belgjikë e Francë. Me pak fjalë, është thjesht duke ndjekur një pjesë të Rrugës së vjetër të Mëndafshit nga lindja në perëndim. Kjo linjë hekurudhore mallrash është vetëm një prej shumë kalimeve të reja që, së bashku me rrugët dhe portet, formojnë iniciativën e Kinës: “Një brez, një rrugë”, thotë Juliet Ferguson.
Tani, s`ka shumë rëndësi nëse është ai varianti i vjetër I Rrugës së Mëndafshit, apo I është dhënë një “bojatisje” e re PR-ri; ajo çfarë mbetet në fund është e vërteta se Kina po globalizohet dhe investimet e saj, po kërkohen me shumë mirënjohje në mbarë Europën. Nga portet tek centralet elektrike, nga klubet e futbollit e deri te kompanitë financiare, nga qyteti norvegjez Kirkenes deri në portin grek të Pireut dhe rrjetin kombëtar portugez të energjisë, investimi kinez është bërë i domosdoshëm për ekonominë europiane. Por ngritja e vendit si një fuqi ekonomike globale paraqet një dilemë strategjike për qeveritë europiane.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, paralajmëroi në muajin mars se “periudhës së naivitetit europian” për Kinën, duhet t`i vinte fundi. A bëhej fjalë thjesht për një frikë të tepruar që mbërrin në kufijtë e ksenofobisë? Punëtorët e uzinës Scunthorpe të British Steel padyshim do të jenë mirënjohës që kompania iu shit grupit kinez Jingye, sepse kësisoj u kursyen 4,000 vende pune. Rregullat e ndihmës shtetërore të BE u fajësuan për parandalimin e shtetëzimit që kishin kërkuar sindikatat e çelikut, por edhe me Brexit-in më të ashpër të mundshëm, si zor të mendohet se kriteret e Organizatës Botërore të Tregtisë do ta kishin kufizuar kaq fort aftësinë e Britanisë për t`i dhënë ndihmë shtetërore një kompanie “të sëmurë”. Atëherë lind pyetja, çfarë e shtyn një kompani kineze që ta shohë një prodhues të dështuar britanik të çelikut si investim të mirë? Investimet e përgjithshme kineze në Europë janë rritur me një ritëm të qëndrueshëm gjatë dy dekadave të fundit në shumicën e industrive dhe sektorëve.
Nga viti 2008 deri në vitin 2018, Kina ka shpenzuar rreth 300 miliardë euro për blerjen e kompanive europiane ose krijimin e filialeve të tyre në Europë (BE plus Zvicrën dhe Norvegjinë). Britania, Gjermania dhe Franca kanë tërhequr pjesën më të madhe të tyre në dekadën e fundit. E megjithatë, në mars, BE-ja nxorri një deklaratë ku e cilësonte Kinën si “rivale sistematike”. Ka një nivel të ri shqetësimi në Bruksel se miliardat që vendet anëtare po pranojnë nga Pekini, do ta lënë bllokun të kompromentuar në rrafshin strategjik.
Një shenjë e “hapjes së syve” nga ana e BE-së është dhe rishikimi që po I bën mekanizmave të saj verifikues të investimeve të huaja direkte, përpjekja e parë e përbashkët për të shqyrtuar “ekspansionin” e Kinës. Komentet e Macronit tregojnë gjithashtu se kontradiktat në pozicionin e BE-së janë duke dalë në dritë. Lufta tregtare e përsëritur mes SHBA-së dhe Kinës duhet të shërbejë si paralajmërim se, pa një qasje koherente europiane, qeveritë që kërkojnë tregti dhe marrëveshje biznesi nga të dy palët mund të zbulojnë papritur se janë dëm kolateral.