Fermerët grekë përshkallëzojnë protestat, paralajmërohen bllokime rrugësh dhe doganash
Pas gati 35 ditësh protesta në akset kryesore të vendit, fermerët grekë kanë vendosur përshkallëzim të mëtejshëm të mobilizimeve. Vendimi u mor pas një mbledhjeje disaorëshe të përfaqësuesve të fermerëve në Malgara, pranë Selanikut, ku u paralajmëruan bllokime të gjera të rrugëve kombëtare dhe doganave, të enjten dhe të premten e kësaj jave.
Sipas vendimeve të marra, protestat do të intensifikohen me bllokime 48-orëshe në akset kryesore dhe rrugët dytësore, ndërsa në shënjestër do të jenë edhe doganat, kryesisht për qarkullimin e kamionëve, çka pritet të shkaktojë probleme serioze në transport dhe tregti.
Mes pikave strategjike që pritet të mbyllen janë Malgara, lugina e Tempit, Siatista, Bralos, Tripoli, si edhe nyja Rio–Antirio, një nga arteriet më të rëndësishme të vendit.
Në mbledhje morën pjesë përfaqësues nga 62 blloqe fermerësh nga e gjithë Greqia. Ata theksuan se mobilizimet do të vazhdojnë pa asnjë tërheqje, derisa qeveria të japë zgjidhje konkrete për kërkesat e tyre, të cilat lidhen kryesisht me rritjen e kostos së prodhimit, çmimet e energjisë dhe mbijetesën ekonomike të sektorit bujqësor.
KOHA JONË SONDAZH

