Franca i kërkon Iranit të shmangë përshkallëzimin bërthamor
Diplomati i lartë i Francës bisedoi me homologun e tij iranian ditën e shtunë dhe i kërkoi Iranit të jetë “konstruktiv” dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm bërthamor përpara bisedimeve që janë përcaktuar të mbahen javën e ardhshme dhe që synojnë të shpëtojnë një marrëveshje globale për frenimin e programit bërthamor Iranian.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani deklaruan se do të fillojnë negociatat indirekte javën e ardhshme, në një nga shenjat e para të përparimit në përpjekjet t’i kthejnë të dy vendet në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015. Presidenti i atëhershëm Donald Trump tërhoqi Sh.B.A nga marrëveshja në 2018 dhe Irani ka shkelur vazhdimisht kufizimet e tij që prej asaj kohe.
Diplomatët nga Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Irani do të marrin pjesë në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE të martën në Vjenë. Këto gjashtë vende kanë mbetur në marrëveshje, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit, i cili e lidhi Iranin me kufizime bërthamore në këmbim të lehtësimit nga sanksionet amerikane dhe ndërkombëtare.
Ministri i Jashtëm Francez Jean-Yves Le Drian foli të Shtunën me Ministrin e Jashtëm iranian Jaëad Zarif për t’u përgatitur për bisedimet.
“Unë e inkurajova Iranin të jetë konstruktiv,” tha Le Drian në një deklaratë. “Unë gjithashtu i bëra thirrje të abstenojë nga çdo shkelje e mëtejshme e angazhimeve të tij aktuale në fushën bërthamore të cilat mund të kërcënojë lëvizjen drejt diskutimeve të rifilluara”.
Por nga ana tjetër, Irani këmbëngul se nuk po kërkon të prodhojë bomba bërthamore dhe dëshiron që sanksionet të hiqen.
Presidenti Joe Biden ka premtuar duke thënë se rikthimi në marrëveshjen bërthamore dhe kthimi i programit bërthamor të Iranit nën kufizimet ndërkombëtare është një përparësi për administratën e tij amerikane.