Frika nga nacionalizmi po i vret qytetarët gjermanë
Nga Rainer Zitelmann, National Interest
Në fillim të krizës së koronavirusit, u duk sikur Gjermania po e përballonte më mirë se Britania, Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera situatën e krijuar. Por gjatë muajve të fundit, ka ndodhur saktësisht e kundërta:Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, kanë 2 nga fushatat më të suksesshme të vaksinimit në botë, ndërsa Gjermania mbetet shumë prapa.
Arsyeja më e thellë e dështimeve të Gjermanisë, është marrëdhënia jofunksionale e saj me gjithçka që është “kombëtare”. Edhe fjala “komb” snobohet nga shumë anëtarë të klasës politike gjermane, por edhe nga intelektualët dhe mediat.
Cilido që këmbëngul se qeveria duhet të vendosë në radhë të parë interesat e njerëzve të saj – për shembull në blerjen e vaksinave -etiketohet menjëherë si “nacionalist”. Qeveria e Angela Merkel ishte shumë e qartë kur pranoi t’ia delegojë BE-së blerjen e vaksinave, për shkak të frikës gati paranojake se mos etiketohej një “nacionalistee vaksinave”.
Qeveritë në Britani dhe Shtetet e Bashkuara nuk e kanë një frikë të tillë. Rezultati:Edhe pse një nga vaksinat e para të koronavirusit u zhvillua nga kompania gjermane BioNTech, dhe u financua me qindra miliona euro nga taksapaguesit gjermanë, sot ka më pak vaksina të disponueshme në Gjermani sesa në shumë vende të tjera.
Edhe problemet me të cilat u përball Gjermania gjatë krizës së refugjatëve së viteve 2015-2016,patën të njëjtin shkak. Edhe në këtë rast, veprimet (ose mosveprimet) e qeverisë Merkel u diktuan fuqishëm nga marrëdhënia e saj e trazuar me kombin.
Madje, gjërat në atë kohë shkuan aq larg sa që Angela Merkel deklaroi publikisht se ajo nuk mund të mbronte dot as kufijtë e vendit të saj. Edhe lufta kundër krimit të organizuar, shpesh ka dështuar për shkak të frikës dhe paranojave, se kushdo që merr një qasje të ashpër mund të cilësohet “ksenofobik” dhe për pasojë“nacionalist”.
Si rrjedhojë, për vite me radhë është hedhur mbi krimet e kryera nga klanet e mëdha kriminale arabe, të cilat duket se po e dominojnë krimin e organizuar në shumë qytete gjermane. Qasja ka ndryshuar disi vetëm kohët e fundit. Por ndërkohë kanë kaluar dekada në luftën kundër krimit të organizuar, dhe kjo është arsyeja pse Gjermania e ka shumë më të vështirë përballjen sot me këtë problem.
Megalomania gjermane
Njëkohësisht, ky kompleks gjerman është i lidhur me një megalomani të qartë gjermane,
një arrogancë që buron tipikisht nga ndjenja e madhështisë. Kjo është e dukshme në luftën kundër ndryshimit të klimës. Edhe pse Gjermania është përgjegjëse për vetëm 2 për qind të emetimeve globale të dyoksidit të karbonitCO2në atmosferë, Berlini mendon se ajo që bën Gjermania do të përcaktojë fatin e të gjithë planetit.
Shumë politikanë gjermanë e thonë hapur se Gjermania duhet të jetë modeli për të gjitha vendet e tjera të globit. Dhe e gjithë kjo i bën jehonë parullës së vjetër “Am deutschen Wesen mag die Welt genesen”, (Bota do të shërohet falë vlerave gjermane!).
Kjo frazë u krijua fillimisht në një poezi me titull“Deutschlands Beruf” nga Emanuel Geibel në vitin 1861. Slogani “Am deutschen Wesen soll die Welt genesen”, u përdor më vonë nga udhëheqësit politikë të Gjermanisë, përfshirë Kajzerin Vilhelmki II.
Pretendimi gjerman për të qenë një model për të gjithë botën në lidhje me politikën energjetike, është edhe më qesharak pasi nga një perspektivë e jashtme Gjermania ka miratuar “politikën më idiote të energjisë në botë”. Ajo është krenare për programin e saj të mbylljes së termocentraleve bërthamore dhe atyre me qymyr, edhe pse energjia bërthamore është një nga burimet më të mira të energjisë së pastër,dhe shumë shkencëtarë të njohur janë të bindur se ndryshimi i klimës nuk mund të zgjidhet pa ndërtimin e më shumë termocentraleve bërthamore.
Si rezultat i politikave energjetike absurde, çmimet e energjisë elektrike në Gjermani janë sot më të lartat në botë. Për shembull, sot në Gjermani1 kilovatorë kushton 31 cent, ndërsa në Poloninë fqinje çmimi është vetëm 13 cent. Në rastin më të mirë, kjo e bën Gjermaninë një histori paralajmëruese për atë që e pret çdo vend tjetër nëse kopjon politikat e saj energjitike.
Ndërkohë edhe kriza e refugjatëve konfirmoi pretendimin misionar të Gjermanisë se “Bota do të shërohet nga vlerat gjermane”. Merkel besonte me sinqeritet se mund ta detyronte të gjithë Evropën të hapte kufijtë e saj ndaj emigrantëve. Sigurisht që nuk ishte ky rasti.
Ashtu si në një efekt domino, vendet mbyllën njëri pas tjetrit kufijtë e tyre ndaj emigrantëve të paligjshëm, dhe Gjermania mbeti plotësisht e izoluar me politikën e saj ultraliberale ndaj refugjatëve.
Pritshmëria naive se vendet e tjera do të ndiqnin të njëjtat maksima si Gjermania, ka qenë e dukshme edhe gjatë krizës së koronavirusit. Presidentja gjermane e Komisionit Evropian,Ursula von der Leyen, mbeti shumë e zhgënjyer kur kuptoi se qeveritë e Britanisë së Madhe dhe SHBA-së vendosën në radhë të parë interesin e qytetarëve të tyre, gjë që nga këndvështrimi gjerman është një shfaqje e rrezikshme e një “nacionalizmi” të shfrenuar.
Gjithsesi, në jetë zhgënjimi paraprihet shpesh nga vetë-mashtrimi. Dhe në këtë rast, ishte një naivitet i rrezikshëm supozimi se qeveritë e vendeve të tjera, do ta vendosnin në fund të rendit të ditës mbrojtjen e jetës së qytetarëve të tyre.
/Përktheu: Abcnews.al
Shënim: Rainer Zitelmann është një historian dhe sociolog gjerman.