Hetimet ndaj Trump, dëshmon ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë: Zyrtarë të DASH nuk më mbrojtën nga sulmet
Në dhomën e Përfaqësuesve të kongresit amerikan po vazhdojnë seancat që në thelb kanë nisjen e hetimit për shkarkimin e presidentit Donald Trump. Këto seanca të iniciuara nga demokratët që kanë shumicën në dhomën e përfaqësuesve kanë të bëjnë me telefonatën e Presidentit Trump në muajin korrik me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy ku sipas raportimeve shefi i shtëpisë së bardhë i ka kërkuar Kievit që të hetojë për korrupsion djalin e ish-nënpresidentit Joe Biden, rival ky i presidentit Donald Trump.
Në seancën e kësaj të premteje u shfaq ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch e cila u largua nga detyra në muajin maj me kërkesë të presidentit Trump pasi u akuzua në mediat e djathta për pabesi ndaj presidentit amerikan.
Diplomatja e lartë u tha ligjvënësve se ajo kishte qenë viktimë e fushatës së dezinformimit ku sipas saj u përdorën kanale jozyrtare që çuan në largimin e saj nga Ukraina. Në hyrje të dëshmisë së saj ajo ka kundërshtuar disa nga akuzat që janë bërë në drejtim të saj.
Ajo tha se janë të pavërteta pohimet se ajo u ka thënë punonjësve të paidentifikuar të Ambasadës amerikane në Kiev ose zyrtarëve të Ukrainës që urdhrat e Presidentit Trump për të hetuar djalin e Biden duheshin injoruar sepse ai do të fajësohej.
“Unë nuk e bëra dhe nuk do ta thosha një gjë të tillë. Deklarata të tilla do të ishin në kundërshtim me trajnimin tim si oficere e Shërbimit të Jashtëm dhe rolin tim si Ambasadore”, tha ajo.
Yovanovitch tha se vazhdon të jetë e habitur për faktin që pati amerikanë, të cilët bënë partneritet me disa ukrainas të cilët preferuan të luanin sipas rregullave të vjetra korruptive në përpjekjet për largimin e saj. Yovanovich dha gjithashtu alarmin se zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit nuk e mbrojtën nga sulmet e aleatëve të presidentit, përfshirë ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut Rudy Giuliani.
Ajo më tej theksoi se Rudy Giuliani, avokat personal i presidentit dhe bashkëpunëtorët e tij drejtuan kundër saj një fushatë dezinformimi. Ajo shtoi se këto ngjarje duhet të shqetësojnë të gjithë në këtë dhomë. Ndërsa ish-ambasadorja po jepte dëshminë e saj, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shkroi në rrjetin social Twitter, se kudo që ajo ka shkuar gjatë karrierës së saj “gjërat kanë shkuar keq”.
Marie Yovanovitch është diplomate karriere, një nga emrat më të spikatur të shërbimit të jashtëm amerikan, që ka shërbyer si nën administratën e drejtuar nga demokratët ashtu edhe për republikanët.
Procesi hetimor ndaj Trumpit po zhvillohet i hapur për publikun.
Në hapje të seancës, kryesuesi i Komitetit, Adam Schiff tha se ambasadorja Yovanovitch jo vetëm që hidhëroi ukrainasit e korruptuar, si ish-prokurorin e përgjithshëm Yuri Lutsenko të cilin e quajti të korruptuar, por edhe disa amerikanë si Rudy Giuliani, avokati personal i presidentit Donald Trump dhe dy individë, të paditur tani, që kanë punuar me të, Igor Fruman dhe Lev Parnas”.