Inflacioni lëviz sipas BQE – Eurostat: Ngadalësohet në 2% gjatë Nëntorit

Inflacioni në Eurozonë është ngadalësuar si ç’ pritej gjatë Nëntorit, ndërsa treguesi bazë rezultoi poshtë pritshmërive të tregjeve, duke mbështetur perspektivën e Bankës Qendrore Europiane për një përfundim të kujdesshëm të stimujve monetarë.  Çmimet e konsumit në 19 vendet e valutës së përbashkët u rritën me 2% me bazë vjetore në Nëntor,  pas normës më të lartë në 6 vite prej 2.2% në Tetor,  sipas agjencisë së Statistikave të Bashkimit Europian, Eurostat.

Inflacioni ka qenë pranë nivelit objektiv të institucionit në Frankfurt prej 2% për disa muaj me radhë, por banka ka hedhur poshtë rrezikun e tejkalimit të atij niveli,  duke argumentuar se tendenca qëndron e dobët dhe vetëm kostot e energjisë po nxisin çmimet.   Eurostat e mbështeti këtë gjë, duke bërë të ditur se çmimet e energjisë u rritën me 9.1% me bazë vjetore gjatë Nëntorit, krahasuar me 10.7% në Tetor.  Çmimet e ushqimeve të papërpunuara u rritën me 1.8%, nga 2.1% rritje që u regjistrua muajin e kaluar. Inflacioni bazë, që përjashton këto komponentë të luhatur dhe që ndiqet nga Banka Qendrore Europiane, ra gjithashtu në 1.1% nga 1.2% që ishte në Tetor.

Një tjetër tregues që ndiqet nga ekonomistët, që përjashton të gjithë çmimet e ushqimeve, energjisë, alkoolit dhe duhanit, ra në 1%. Banka Qendrore Europiane  planifikon ende që të përfundojë programin e stimujve prej 2.6 trilionë euro në Dhjetor, duke argumentuar se inflacioni është drejt rritjes dhe ekonomia e Eurozonës do të vazhdojë këtë ritëm pa nevojën e stimujve monetarë.   Megjithatë, institucioni ka premtuar se do të mbajë bilancin e fryrë prej vitesh dhe se normat e interesit do të qëndrojnë në nivel rekord të ulët deri në verën e ardhshme. Banka do të zhvillojë takimin e politikave monetare më datë 13 Dhjetor dhe investitorët presin që të konfirmojë qasjen ndaj politikave monetare.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?