Irani fillon pasurimin e uraniumit

Kryetari i parlamentit të Iranit tha se vendi filloi të premten pasurimin e uraniumit deri në shkallën 60 për qind pastërti, niveli më i lartë ndonjëherë, pak ditë pasi që një shpërthim goditi centralin kryesor bërthamor në Natanz.

Komentet kryetarit Mohammad Bagher Qalibaf, të cituara nga televizioni shtetëror, nuk dhanë hollësi për sasinë që Irani planifikon të pasurojë. Sidoqoftë, ka të ngjarë që kjo të rrisë tensionet ndërsa Irani po negocion me fuqitë botërore në Vjenë për të gjetur rrugët që Shtetet e Bashkuara të rikthehen në marrëveshjen bërthamore dhe të heqin sanksionet ekonomike shkatërruese me të cilat përballet Teherani.

Njoftimi gjithashtu shënon një përshkallëzim pas sulmit që dëmtoi centrifugat, fundjavën që lamë pas që dyshohet të jetë kryer nga Izraeli. Ndërsa Izraeli ende nuk e ka marrë përsipër një gjë të tillë, dyshohet gjerësisht se ai e ka kryer sabotimin ende të pashpjegueshëm në Natanz, vendi kryesor i pasurimit të uraniumit në Iran.

Televizioni shtetëror iranian citoi zotin Qalibaf të jetë thënë se “vullneti i kombit iranian është një mrekulli-bërës dhe do të ngadhënjejë mbi çdo komplot”. Ai tha se pasurimi filloi menjëherë pas mesnatës së të premtes.

Organizata e Energjisë Atomike e Iranit, nuk pohoi nëse një gjë e tillë ka filluar. Nuk ishte menjëherë e qartë pse njoftimi u bë nga zoti Qalibaf, një ish-udhëheqës i vijës së ashpër në Rojat Revolucionare paraushtarake, tashmë i cilësuar si një kandidat i mundshëm në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Iranit që mbahen në qershor.

Ky hap e sjell Iranin më pranë objektivit për uranium me 90 për qind pastërti, që përbën shkallën e synimeve ushtarake dhe ngushton hendekun deri në prodhimin e bombës bërthamore, megjithëse Teherani këmbëngul se nuk ka synime të tilla.

Në bazë të marrëveshjes bërthamore, Irani është zotuar të mos pasurojë më shumë se shkalla 3.67 për qind, ndonëse në janar e kishte ngritur pasurimin në 20 për qind.

Ky veprim mund të nxisë një përgjigje të mëtejshme nga Izraeli. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, është zotuar se nuk do të lejojë kurrë Teheranin të sigurojë një armë bërthamore dhe vendi i tij ka bombarduar dy herë vendet e Lindjes së Mesme për të ndaluar programet e tyre bërthamore.

Irani ka këmbëngulur prej kohësh se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore, të tilla si prodhimi i energjisë dhe kërkimet mjekësore./VOA

SHKARKO APP