Italia bllokon samitin e BE, vendos veto
Italia bllokoi të enjten në mbrëmje miratimin e përfundimeve të përbashkëta që u diskutuan në pjesën e parë të samitit europian që po zhvillohet në Bruksel.
Shkak është bërë qëndrimi i ndryshëm i Italisë lidhur me mënyrën sesi BE duhet të përballojë krizën e emigracionit. “Nuk bëjmë kompromise për emigracionin. Të gjithë vendet e BE duhet të marrin përgjegjësi”,- tha kryeministri italian, Xhuzepe Konte.
Krerët e 28 vendeve gjatë këtij samiti do të diskutojnë temat e sigurisë dhe të mbrojtjes, më pas të punësimit, të inovacionit si dhe të zgjerimit.
Konferenca për shtyp e drejtuesve të BE u anulua gjatë orëve të mbrëmjes. Arsyeja lidhet pikërisht me qëndrimin e Italisë.
Kryeministri italian tha se nëse nuk arrihet një përfundim që të kënaq të gjitha palët, atëherë Këshilli nuk do të ketë një deklaratë të përbashkët, por qëndrime të ndryshme.

