Italia në duart e një perandoreje
Nga Denis Dyrnjaja
Giorgia Meloni është gruaja që projektohet të marrë fronin kryeministror në Itali. Në këtë kohë turbullirash politike mbarëbotërore italianët vendosën pikërisht t’i besojnë një gruaje drejtimin e vendit e rrallë, por jo e pakuptueshme. Ajo është karizmatike, e vendosur dhe për më tepër bindëse në artikulimin politik, duke prodhuar besim në këtë periudhë mosbesimi.
Bota po lëkundet mes pasigurish të krizave që prodhojnë konfliktet, recesioni, apo surpriza si pandemia e Coronavirusit dhe këto periudha janë tipike për shpërfaqjen e figurave me qëndrime të qarta dhe dominante. Vëreni me kujdes çfarë i tha popullit gruaja me fytyrën engjëllore, që lëshon mesazhe prej perandoreje. Për ne politika do të thotë dashuri, jo urrejtje.
Është një mision për t’u shërbyer qytetarëve dhe jo një kryqëzatë kundër armiqve tanë. Ky është një ndryshim thelbësor mes nesh dhe partive të majta. Kontrabandistët duhet të kenë frikë nga ne, sepse koha e tyre për të bërë më shumë para ka mbaruar. Trafikantët e drogës, përdhunuesit, rrëmbyesit, gënjeshtarët, hajdutët, Camorra, Ndrangheta, mafia në tërësi duhet të ketë frikë nga ne, ndërsa italianët e mirë jo tha në mesazhin e saj fundor të fushatës 45 vjeçarja Giorgia Meloni.
Një mesazh i adresuar qartë dhe prerë, por mbi të gjitha i mbështetur në një të shkuar politike të paintoksikuar. Vetëm 4 vjet më parë forca politike e Melonit “Frateli d’Italia” kishte vetëm 4% të votave ndërsa në zgjedhjet e kësaj të diele ajo tregoi se kishte 5 fishuar votat duke iu “rrëmbyer” zemrat italianëve. Njerëzit duan frymë dhe besim, jo thjeshtë fjalë, jo thjeshtë premtime, aq më tepër premtime të përsëritura të shndërruara në zhgënjime. Njerëzit duan të besojnë, jo të gënjehen.
Njerëzit duan t’u japësh shpresë, jo dëngla folklorike. Nëse të besojnë edhe të votojnë. Vota nuk është një akt formal, por një kontratë besimi të cilën populli italian ia ka dhënë si të drejtë vetes ta prishë në çdo moment kur sheh se pala premtuese zhgënjen. Kjo është substanca e demokracisë. Ska rëndësi nga vjen ekstremi i djathtë apo i majtë, qendra e djathtë apo e majtë. E rëndësishme është të bësh atë që thua dhe atë për të cilën njerëzit të zgjedhin.
Sot italianët i besojnë Melonit pasi mendojnë se përtej filozofisë ekstreme politike që etiketohet edhe si me nuanca fashiste, ajo kërkon t’iu rikthejë atyre unitetin shoqëror dhe social. Vlerat e familjes dhe ato bazike të njerëzimit. Psh ajo është shprehur prerë në krah dhe mbrojtje të popullit të Ukrainës që po përballet me një luftë dhe agresion të padëshiruar dhe një luftë të provokuar. Por mendon se familja dhe më pas shoqëria rrezikohet nga martesa brenda llojit.
Rendi botëror ka rrëshqitur në degradim nën globalizmin e majtë. Ndaj si kundërpeshë është zgjuar e po forcohet ekstremi i djathtë. Nota të ngjashme ka shfaqur më herët Austria, e Suedia, Franca me Le Penn gjithashtu, por edhe vende të tjera ku amullia dhe pasiguria për të ardhmen kanë trokitur te dera. Fitorja e së djathtës në Itali është përcjellë me optimizëm edhe në Shqipëri. Por ajo që e bën paradoksal këtë ngazëllim është fakti se këtu gëzojnë ata që Meloni i vendos në grupin e atyre që duhet të kenë frikë nga ligji, nga shteti dhe drejtësia, jo rroftë sebepi për të ardh në pushtet se na duhet tepsia.