Italia “rigjen” shqiptarët, Istat: Të parët ndër emigrantët në 2018, rritje me 17.3%, sidomos për punë e studim

Instituti Italian i Statistikave (ISTAT) ka publikuar të dhënat më të fundit sa i përket flukseve migratore në vend. Shqiptarët emigrantë të rinj në vendin fqinj gjatë vitit të kaluar përllogariten në 23,479 të tillë, duke u renditur të parët në listën e prurjeve të reja. Krahasuar me vitin paraardhës, rritja është e konsiderueshme, në masën 17.3%, rritja e dytë më e lartë, pas Indisë.

Po të shohim të dhënat më të detajuara, vëmë re një rritje drastike të shqiptarëve që kanë shkuar për çështje humanitare, pra azili, 82% më shumë se 2017, për studim, në masën 54.8%, si dhe për punë, 33.3% rritje. Tendenca e shqiptarëve për të emigruar drejt vendit fqinj është kundër tendencës së përgjithshme, pasi numri i emigrantëve të rinj në Itali përgjatë 2018-ës ka rënë me 7.9%. Vështirësitë ekonomike dhe sociale që po përjeton vendi gjatë viteve të fundit, por sidomos diferenca e konsiderueshme me disa vende të tjera europiane, me Gjermaninë në krye, kanë ulur ndjeshëm gjatë viteve të fundit dëshirën e shqiptarëve për të zgjedhur Italinë si destinacionin e tyre, ndryshe nga dikur.

Por, 2018 duket se ka shënuar një kthesë. Faktin se shqiptarët janë rikthyer, e vë në dukje edhe Istat mes rreshtave të publikimit më të fundit. Të dhënat tregojnë gjithashtu se femrat janë më të shumta në numër se meshkujt mes emigrantëve të rinj në Itali. Deri në janar të këtij viti, numri i shqiptarëve me leje qëndrimi në vendin fqinj fiksohet në 428 mijë, grupimi i dytë më i madh pas Marokut.

Pjesa dërrmuese e tyre janë minorenë. 109 mijë janë shqiptarët deri në 17 vjeç me leje qëndrimi në vend, pra ¼ e totalit. Në këtë shifër nuk klasifikohen ata shqiptarët të cilët janë me shtetësi italiane dhe as ata që jetojnë ilegalisht në vendin fqinj.

SHKARKO APP