Izolohet qyteti në Kinë, banorët këmbejnë çdo gjë për ushqim

Një qytet në Kinë u fut në izolim për të frenuar përhapjen e Covid-19. Sipas BBC, banorët në Xi’an janë gjetur në një situatë të vështirë dhe po përballen në mungesa në furnizimin me ushqime.

Postimet në rrjetet sociale tregojnë njerëzit që po shkëmbejnë cigare dhe pajisje teknologjike për ushqim. Rreth 13 milionë banorë janë mbyllur në shtëpitë e tyre që nga 23 dhjetori.

Masat e rrepta anti-Covid janë vendosur përpara Vitit të Ri Hënor dhe Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në Pekin muajin e ardhshëm.

Brenda natës, qyteti i Yuzhou u mbyll pas zbulimit të vetëm tre rasteve, të gjitha pa simptoma. Yuzhou, me një popullsi prej 1.1 milionë banorësh, ka mbyllur sistemin e transportit dhe vendet e argëtimit dhe ka ndaluar pothuajse të gjitha automjetet në rrugë. Po ashtu të gjitha bizneset përveç supermarketeve dhe farmacive janë të mbyllura.

Ata që punojnë në industri kryesore, përfshirë supermarketet, pikat e shitjes së barnave dhe impiantet energjetike lejohen të shkojnë në punë vetëm me paraqitjen e një testi negativ për Covid-19.

Autoritetet në Xi’an kanë ofruar ushqim falas për familjet, por ka pasur ankesa të shumta në mediat sociale. Disa banorë thanë se furnizimet e tyre po mbaronin ose se nuk kishin marrë ende ndihmë.

Videot dhe fotot në rrjete sociale treguan njerëzit që shkëmbenin cigare me lakër, detergjent për larjen e enëve me mollë dhe letra higjienike me një grumbull të vogël perimesh.

SHKARKO APP