Kanada, 6 të vrarë dhe 8 të plagosur nga të shtënat me armë në xhaminë e Kebekut

Policia në qytetin e Kebekut thotë se gjashtë persona janë vrarë dhe tetë janë lënduar gjatë një sulmi me armë zjarri në xhaminë e qytetit, gjatë kohës së lutjeve.

Sulmi po cilësohet si “vepër terrorizmi ndaj myslimanëve”.

Zëdhënësja e policisë së krahinës së Kebekut, Christine Coulombe, ka thënë se dy të dyshuar janë arrestuar.

Ajo nuk ka dhënë detaje për arsyen e sulmit në Qendrën Kulturore Islamike të Kebekut, duke thënë se hetimet sapo kanë filluar.

Paraprakisht, udhëheqësi i kësaj qendre në qytetin lindor kanadez ka thënë se pesë persona janë vrarë.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke e cituar një dëshmitar ka thënë se tre persona e kanë kryer sulmin.

Udhëheqësi i Kebekut, Philippe Couillard, e ka përshkruar sulmin si “dhunë barbare” ndërsa ka thënë se kjo ka qenë “vepër terrorizmi ndaj myslimanëve”.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka shkruar në Twitter: “Sonte, kanadezët janë në zi për ata që u vranë në një sulm frikacak ndaj një xhamie në qytetin e Kebekut”.

Një dëshmitar i ka thënë Reuters se 3 sulmues kanë shtënë ndaj 40 personave brenda Qendrës Kulturore Islamike të qytetit në fjalë.

“Pse po ndodh kjo këtu? Kjo është barbare”, ka thënë për gazetarët udhëheqësi i xhamisë, Mohamed Yangui.

Yangui ka thënë se ai nuk ka qenë në xhami në kohën e sulmit. Ai ka shtuar se nuk e di sakt numrin e të lënduarve.

Zebida Bendjeddou, që është larguar më herët nga xhamie, mbrëmjen e së dielës, ka thënë se qendra pranonte kërcënime.

“Në qershor, ata e vendosen kokën e një derri para xhamisë. Por, ne menduam: ‘Oh, kjo është një ngjarje e izoluar.’ Nuk e morëm seriozisht. Por, sonte, këto ngjarje të izoluara, morën kahje tjetër”, ka thënë ajo.

Në New York, policia ka thënë se ka shtuar patrullimet afër xhamive dhe vendeve të tjera të kultit.

SHKARKO APP