Këndoi në metro, 52-vjeçarja e pastrehë mbledh 40 mijë $

Me siguri keni dëgjuar orët e fundit për një soprano të pastrehë. Mbrëmjen e së hënës, Emily Zamourka, këndoi një arie që u shndërrua menjëherë në sensacion në rrjetet sociale.

52-vjeçarja, një e pastrehë që jeton në rrugët e Los Angelos, dha një performancë të jashtëzakonshme në stacionin e metrosë dhe menjëherë vëmendja ishte tek ajo. Violinistja dhe pianistja u zhvendos në Shtetet e Bashkuara nga Rusia 30 vite më parë, ku jetesën e siguroi përmes mësimdhënies në lëndën e muzikës.

Problemet shëndetësore e detyruan të braktisë profesionin dhe faturat e majme në spital e lanë pa shtëpi. Për të fituar para’, për të siguruar së paku ushqimin, Emily luante në violinë në rrugë, derisa një ditë i vodhën edhe violinën, që kushtonte 10 mijë dollarë.

Nga ajo kohë, 52-vjeçarja jeton në rrugë.

Muajt e fundit ajo ka gjetur një tjetër rrugë, për të fituar disa dollarë, performon me një instrument të cilin askush nuk mund t’ia vjedhë, me zërin e saj. Ajo shprehet mirënjohëse për oficerin e policisë që mbrëmjen e së hënës e regjistroi duke kënduar: “I jam mirënjohëse sepse ai vërtet ndryshoi jetën time. Dua vërtet ta falenderoj sepse sot nuk do të isha këtu me ju dhe askush nuk do ta njihte talentin tim”.

Në vetëm 48 orë, nga donacione të ndryshme, kryesisht nga qytetarët, Emily ka mbledhur 40 mijë dollarë, mjaftueshëm për të gjetur një strehë.

SHKARKO APP