
Një kërcënim me bombë ndaj një anijeje turistike me destinacion Izraelin shkaktoi një operacion sigurie në portin e ishullit grek të Sirosit.
Anija “Crown Iris”, me flamur të Panamasë, pritej të lundronte drejt Haifës, me 940 pasagjerë dhe 597 anëtarë të ekuipazhit në bord, kur mbërriti kërcënimi.
Personeli i Rojës Bregdetare, i ndihmuar nga një qen i specializuar për zbulimin e eksplozivëve dhe një zhytës, kontrolloi anijen, ndërsa në vendngjarje u dislokua edhe një njësi speciale e Rojës Bregdetare.
Kontrollet paraprake nuk zbuluan asnjë bombë. Specialistë të Rojës Bregdetare do të kryejnë inspektime të mëtejshme, përpara se anija të rifillojë udhëtimin.
Sot Evropa është përballur me 7 kërcënime për bombë nëpër fluturime duke shkaktuar ndërprerje dhe vonesa në aeroporte, megjithëse nuk u zbulua asnjë lëndë shpërthyese.