Kërkoi arrestimin e tij, Netanyahu sulmon Mamdanin: Po nxit urrejtje e përçarje

Pavarësisht polemikave dhe thirrjeve për arrestimin e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se do të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork këtë vjeshtë.

Vendimi vjen pasi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, kishte deklaruar më herët se do të zbatonte urdhër-arrestin e lëshuar ndaj Netanyahut nga Gjykata Penale Ndërkombëtare në vitin 2024. Megjithatë, javën e kaluar ai pranoi se administrata e qytetit nuk ka kompetencë ligjore për ta arrestuar kryeministrin izraelit dhe se një veprim i tillë është në dorën e autoriteteve federale.

Në një intervistë për Fox News, Netanyahu tha se nuk është i shqetësuar nga deklaratat e Mamdanit, duke e akuzuar atë se po nxit urrejtje dhe përçarje.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Ai supozohet të jetë kryetari i bashkisë së të gjithë banorëve të Nju Jorkut: hebrenjve, të krishterëve, myslimanëve, të gjithëve. Por ai po përpiqet ta kthejë një grup kundër tjetrit dhe po mbjell urrejtje dhe frikë”, tha Netanyahu.

Swiss Digital Mobile Reklama

Kryeministri izraelit do të udhëtojë këtë javë në Shtetet e Bashkuara për t’u takuar me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të senatorit të ndjerë Lindsey Graham. Vizita në Nju Jork nuk është pjesë e këtij udhëtimi, ndërsa pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së është planifikuar për muajt e vjeshtës.

Zohran Mamdani, një mbështetës i kauzës palestineze, e ka quajtur Netanyahun “kriminel lufte” dhe gjatë fushatës së tij premtoi se do të zbatonte urdhër-arrestin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare të lëshuar në vitin 2024.

Izraeli i ka mohuar akuzat për krime lufte në Gaza, ndërsa Netanyahu i ka cilësuar ato si të pabazuara.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?