
Hakeri i GTA VI, Arion Kurtaj, 21 vjeç, u dënua të hënën me shtatë vjet burg në Mbretërinë e Bashkuar për një sërë sulmesh kibernetike ndaj kompanive të mëdha, përfshirë Rockstar Games, prodhuesin e lojës Grand Theft Auto VI. Ai u lirua me kusht, pasi kishte kaluar tashmë disa vite në qeli, raporton Euronews. Kurtaj pranoi të hënën e kaluar fajësinë për sulmet që kreu mes viteve 2021 dhe 2022 si pjesë e grupit haker Lapsus$.
Sulmet dhe rrjedha e çështjes
Sipas prokurorëve, Kurtaj shkaktoi "ndërprerje të rënda për biznesin e madh ndërkombëtar" dhe vuri në rrezik informacione të ndjeshme me sulmet e tij. Në një rast, ai arriti të merrte 90 video të lojës GTA VI nga Rockstar, e cila në atë kohë ishte ende e papërfunduar, dhe i publikoi ato në internet nën pseudonimin "TeaPotUberHacker". Prokurorët theksuan se ai kërcënoi edhe publikimin e kodit burimor të lojës.
Për kryerjen e hakerimit, Kurtaj përdori vetëm një telefon celular, Wi-Fi-n e një televizori hoteli dhe një pajisje Amazon Firestick. Objektiva të tjera të sulmeve të tij ishin banka dixhitale Revolut dhe kompania e transportit Uber.
Nga arrestimi te dënimi
Kurtaj u arrestua fillimisht në shtator 2022, por pas një vlerësimi mjekësor u konsiderua i papërshtatshëm për t'u gjykuar. Në vitin 2023 ai u dënua me urdhër të pacaktuar spitalor të kufizuar. Një gjykatë vendosi në janar 2026 se ky urdhër mund të hiqej, dhe çështja e tij u programua për gjyq.
Gjyqtari e quajti Kurtaj "padyshim një djalë i ri shumë i talentuar" dhe i kërkoi atij të mos i shpenzonte talentet "duke kaluar pjesën tjetër të jetës brenda e jashtë burgut". Vendimi për dënimin, sipas tij, kërkonte "balancimin e rëndësisë së asaj që bëre me, nga ana tjetër, moshën tënde të re" dhe diagnozat mjekësore.
