Konstituimi i Kuvendit – Partitë shqiptare vendosin kahun e qeverisë së ardhshme maqedonase
Pas njoftimit nga KSHZ-ja mbi dorëzimin e rezultatit zyrtar të zgjedhjeve ditën e mërkurë, mediat maqedonase kanë raportuar duke cituar burime konfidencaile se parlamenti mund të mblidhet për herë të parë ditën e premte. Seanca pritet të drejtohet nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, ndërkohë që Presidenti do të thërrasë fituesin e zgjedhjeve, Nikolla Gruevskin, për t’i dhënë mundësinë e parë për formimin e qeverisë. Me interes të madh do të pritet nëse partitë shqiptare do të dalin me një platformë të përbashkët, duke qenë se kanë edhe tagrin për të përcaktuar kahun e pushtetit.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të dorëzojë ditën e mërkurë rezultatet zyrtare nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më datë 11 dhjetor, nga ku do të përcaktohen edhe mandatet e deputetëve të legjislaturës së ardhshme.
Ky veprim do t’i hapë rrugën edhe mbajtjes së seancës së parë parlamentare, e cila duhet të thirret nga Kryeparlamentari i legjislaturës së fundit jo më shumë se 20 ditë pas dorëzimit në Kuvendt të shkresave nga ana e KSHZ-së.
Në këto kushte, thirrjen e seancës së parë parlamentare duhet t’a bëjë Trajko Veljanovski, dhe në bazë të burimeve mediatike, thuhet se kjo gjë mund të ndodhë ditën e premte.
Në rast se nuk do të ketë një thirrje brenda kësaj date, deputetët do të mblidhen automatikisht 21 ditë pas depozitimit të rezultateve zyrtare.
Seanca e parë do të drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë, i cili ka për detyrë që të udhëheqë punimet deri në zgjedhjet e kryetarit me votim.
Pas kësaj, Presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, pritet të thërrasë fituesin e zgjedhjeve, i cili është sërish Nikolla Gruevski, për t’i dhënë mundësinë e parë të formimit të qeverisë.
Në rast se ish-Kryeministri nuk do të arrijë që të rimarrë në dorë ekzekutivin, një mundësi do t’i jepet edhe kreut të LSDM-së, Zoran Zaev.
VMRO- e Gruevskit ka fituar në total 51 deputetë, ndërkohë që LSDM është ndalur në shifrën 49.
Për të formuar qeverinë, një koalicioni i duhen të paktën 62 vota. Nga ana tjetër, nga rradhët e partive shqiptare, BDI ka fituar 10 mandate në sallën parlamentare, e ndjekur nga lëvizja BESA me 5, Aleanca për shqiptarët me 3 dhe PDSH me vetëm 2 mandate.
Në këto kushte, partitë shqiptare kanë mundësi që të përcaktojnë edhe kahun e pushtetit, gjë që u jep atyre tagrin për të pretenduar më shumë kërkesa.
Ekspertët dhe opinioni publik u ka bërë thirrje këtyre liderëve të këtyre forcave politike që të dalin me një qëndrim të përbashkët./ora news/
KOHA JONË SONDAZH

