Kritikët të alarmuar nga marrëveshja BE-Kinë, shqetësimet e mëdha që ngrenë

Një marrëveshje investimesh mes Kinës dhe Bashkimit Evropian, sipas hollësive të sapo-bëra publike, nuk lejon sipërmarrësit evropianë të bëjnë investime në kompani mediatike e argëtimi në Kinë, por nuk bllokon qasjen e kapitalit kinez në firma homologe evropiane.

Megjithë shqetësimet në rritje për përhapjen në Evropë të fushatave kineze të propagandës e dizinformimit, Pakti Gjithëpërfshirës BE-Kinë për Investimet, i njoftuar të premten, u ofron firmave kineze një avantazh të ndjeshëm në sektorin e medias, thonë kritikët.

Marrëveshja, e cila u nënshkrua në parim në dhjetor, është përcjellë me kritika nga Uashingtoni. Disa ditë para se të finalizohej ky pakt, Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan u bëri thirrje evropianëve të shtyjnë përmbylljen e negociatave, duke sugjeruar në një postim në Twitter “konsultime paraprake me partnerët tanë evropianë mbi shqetësime të përbashkëta për praktikat ekonomike të Kinës”.

Kritikët në të dyja anët e Atlantikut thonë se marrëveshja do t’i japë Kinës qasje preference në tregjet evropiane, ndërsa Pekini vazhdon të shtypë lëvizjen për demokraci në Hong Kong dhe të përdorë qendra e objekte izolimi në provincën Xinjiang, ku qeveria kineze ka interrnuar më shumë se 1 milion ujgurë, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.

Shtohen kritikat

Marrëveshja duhet të kalojë në një numër hapash shtesë para se të miratohet përfundimisht dhe më pas duhet ratifikuar nga Parlamenti Evropian. Rregulloret mbi investimet në sektorin mediatik dhe të argëtimit po bëhen objekt kritikash nga disa ligjvënës evropianë, pjesa më e madhe e tyre të Partisë së Popullit Evropian (EPP) me pikëpamje të qendrës së djathtë, e cila përfaqëson grupimin më të madh në Parlamentin Evropian.

Në një deklaratë, EPP u ka bërë thirrje komisionerëve evropianë të “zhvillojnë një sistem rregulloresh për mbarë BE-në, i cili të parandalojë blerjen e kompanive mediatike evropiane nga kompani të medias që financohen ose kontrollohen nga qeveri”.

Kina ka investuar rreth 3.5 miliardë dollarë në firma evropiane të medias gjatë dekadës së fundit. Zyrtarët e BE-së thonë se marrëveshja e re thjesht specifikon rregulloret e qasjes në tregun evropian, mbi të cilat Kina ka rënë dakord në bazë të termave të Organizatës Botërore të Tregtisë, OBT.

Marrëveshja “nuk ofron mundësi të reja për investitorët kinezë në sektorin e medias,” sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian. Në bazë të termave, investitorët kinezë në kompanitë e medias duhet të trajtohen njëlloj si investitorët evropianë dhe të gëzojnë qasje të ngjashme në treg. Por marrëveshja nuk u ofron investitorëve evropianë të njëjtën qasje në tregun kinez.

Ligjvënësja liberale franceze, Marie-Pierre Vedrenne, deputete në Parlamentin Evropian, u shpreh se ka “edhe më shumë pikëpyetje se më parë” lidhur me hollësitë e marrëveshjes që u bë publike javën e kaluar.

Ajo tha se BE-ja po e trajton Kinën si partnere, por Pekini nuk po përgjigjet në të njëjtën mënyrë. Ligjvënës të tjerë kanë cituar studime të kohëve të fundit ku flitet për mënyrën se si ivestimet në median evropiane të firmave kineze, shumica e të cilave zotërohen nga shteti kinez, sjellin një mbulim më pozitiv të Pekinit nga grupet mediatike të blera nga kinezët.

Në një studim të botuar vjet, MapInfluenCE, një grup kërkimor mbi politikën e jashtme në kuadër të Shoqatës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, arriti në përfundimin se “audiencat vendase në Poloni, Çeki dhe Sllovaki janë vënë gjithnjë e më shumë drejtpërdrejt në shenjestër të ‘diplomacisë së maskave’, por edhe të përpjekjeve më të sofistikuara propagandistike që promovojnë një imazh më pozitiv të Kinës, tendosin marrëdhëniet transatlantike dhe përpiqen të riformulojnë interpretimin e çështjeve delikate”.

11 shtete anëtare, shumica të Evropës Qendrore, përfshirë Poloninë, Sllovakinë dhe Republikën Çeke, vazhdojnë të shprehin shqetësim për marrëveshjen dhe kanë deklaruar se rezervojnë të drejtën t’i trajtojnë investitorët kinezë ndryshe.

Kufizime Mediatike

Kina është një partner i fuqishëm tregtar i Bashkimit Evropian. Gjatë 20 vjetëve të fundit, kompanitë kineze kanë investuar 174 miliardë dollarë në Kinë. Komisioni Evropian tha se marrëveshja e investimeve do të ofrojë përmirësim për qasjen në tregje dhe rregullore më të drejta për kompanitë evropiane në Kinë, investitorët dhe kontraktorët që ofrojnë shërbime.

“Marrëveshja do të ofrojë një kornizë rregulloresh më të qarta dhe më të lehta për t’u zbatuar, gjë që u jep bizneseve të BE-së një qasje më të madhe dhe qartësi më të madhe kur investojnë në Kinë,” tha javën e kaluar përmes një deklarate komisioneri i bllokut për tregtinë, Valdis Dombrovskis.

Kritikët e marrëveshjes thonë se nuk bëhet fjalë për një terren të sheshtë e të drejtë konkurrence kur flitet për sektorin mediatik. Kanalet e rrjetit CCTV që kontrollohen nga qeveria kineze po transmetojnë pa pengesa në mbarë Evropën, megjithatë ndaj grupeve mediatike evropiane janë vënë pengesa për transmetimet në Kinë.

Jashtë suazës së BE-së, Britania dhe Kina kanë hasur mosmarrëveshje lidhur me median. Muajin e kaluar, qeveria kineze ndaloi transmetimet e rrjetit të transmetimeve ndërkombëtare, BBC World News, pasi ky kanal transmetoi një seri kronikash që akuzonin se kishte përdhunime sistematike të myslimanëve ujgurë në Xinjiang.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab e quajti këtë masë “një kufizim i papranueshëm ndaj lirisë së medias”.

Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi vendimin, duke e cilësuar një akt në kuadër të një fushate më të gjerë për të shtypur lirinë e medias në Kinë.

Administrata Kombëtare Kineze për Radion dhe Televizionin (NRTA) tha se rrjeti BBC World News kishte kryer “shkelje serioze” të udhëzimeve për transmetimet, përfshirë kërkesën “që lajmet të jenë të vërteta dhe të drejta” dhe të mos “dëmtojnë interesat kombëtare të Kinës”.

Më herët në 2021, rregullatori britanik për median, Ofcom, i hoqi liçencën e transmetimeve në Britani Rrjetit Televiziv Global të Kinës (CGTN).

Hollësitë e paktit të investimeve BE-Kinë pritet të thellojnë zhgënjimin e administratës Biden lidhur me vendimin e Bashkimit Evropian për të hyrë në këtë marrëveshje me Pekinin. Presidenti Biden dëshiron “një front të bashkuar” përballë Kinës në mënyrë që të rritet presioni ndaj Pekinit.

Analistët kanë paralajmëruar prej disa javësh se BE-ja dhe administrata amerikane nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët lidhur me mënyrat më të mira për t’iu përgjigjur qëndrimit gjithnjë e më agresiv e më ambicioz të Kinës. /VOA

SHKARKO APP