Kush është njeriu “anti-faliment” i propozuar nga Macron për në Komisionin Europian
Komisioni Europian në strukturën e tij formatohet njëherë në 5 vjet, me të gjitha shtetet anëtare që propozojnë kandidatët e tyre të rinj për komisionerë. Secili nga këta komisionerë kanë një portofol të caktuar dhe detyrash me të cilat merren specifikisht, të dakordësuara nga Krerët e shteteve dhe kryetarja e Komisionit Europian, e sapozgjedhura Ursula von der Leyen.
Me Francën ka ndodhur një episod interesant. Propozimi i parë i presidentit Macron ishte Sylvie Goulard, e cila në një episod të veçantë është refuzuar nga deputetët e Parlamentit Europian për shkak të disa “njollave të zeza” në karierrën e saj.
Në Samitin e Liderave, presidenti Macron u shpreh thellësisht i zhgënjyer nga refuzimi, duke u shprehur se për të kjo ishte një lojë politike.
Mirëpo, kanë kaluar dy javë dhe nga Elysee ka ardhur emri i ri për përfaqësimin e Francës në KE.
Ai është një njeri me karierrë mjaft interesante dhe një personalitet shumë i shquar në fushën jo vetëm të ekonomisë në Francë, por edhe të Teknologjisë së Informacionit.
Thierry Breton ka përfunduar studimet në mënyrë të shkëlqyer në Universitetin publik të Parisit, Lycée Louis-le-Grand dhe ka një diplomë masteri për Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri Elektrike nga një prej instituteve më të vlerësuara për kërkime shkencore, Superlec.
Karierrën e ka nisur në vitin 1979 si profesor në Teknologji Informacioni dhe Matematikë në Liceun Francez në New York, ndërkohë që zhvillonte edhe detyrimin e tij ushtarak paralelisht.
Më tej në 1981, Breton krijoi kompaninë e tij Forma Systems, e cila ishte e specializuar në analizimin e sistemeve dhe inxhinierinë software. Por, aty ku karierra e tij fillon të vihet vërtet në pah është kur punësohet nga qeveria franceze në kompaninë shtetërore teknologjike, Groupe Bull, e cila kishte shumë probleme dhe ishte në prag falimentimi.
Si i dyti në zinxhirin e komandës, Breton e ristrukturoi tërësisht kompaninë duke e rritur vlerën e saj në bursë me shifra të ndjeshëm.
Më pas, kandidati për komisioner u emërua CEO dhe kryetari i Bordit të kompanisë multinacionale teknologjike “Thompson”, e cila gjithashtu ishte në kufijtë e falimentit.
Nën drejtimin e tij kompania filloi të ofronte aksione në treg për të siguruar burime financiare si dhe investoi në shumë fusha të tjera për të diversifikuar portofolin. Breton investoi në tregje si televizioni, paisjet elektronike dhe më së shumti u fokusua tek Interneti, si dhe në industrinë e filmave dixhitalë. “Thomson” më tej filloi të prodhonte televizorë smart, që bashkëpunonin me paisje të tjera elektronike si Bluetooth.
Në 2002 kur Breton largohet nga ‘Thompson’ fitimet ishin rritur me më shumë se 80% dhe kompania ishte duke ia kaluar me performancë edhe ‘Sony-t’ dhe ‘Philips’, dy rivalëve më të mëdhenj.
Më pas në detyrën e tij të ardhshme Breton u cilësua si “magjistar”. Ai u vendos në krye të rrjetit publik të komunikimit ‘France Telecom’ e shndërruar në ‘Orange’, ditën e sotme. Një vit para marrjes së detyrës, çmimet e kompansië në treg kishin rënë me 70% dhe borxhi i saj kishte arritur në 60 bilionë euro.
Në tre vite Breton arriti të lante rreth 40 bilion euro të borxhit, ndërkohë që çmimet e aksioneve u rritën me gati 170%.
Në 2005, Thierry emërohet si Ministër i Financave duke zëvendësuar Herve Gaymard. Në dy vite e gjysmë në drejtim të këtij sektori, ai e përqendroi politikën e tij ekonomike rreth nevojës për të reformuar financat publike, specifikisht për të reduktuar borxhin publik. Në qershor të 2005, Breton bëri deklaratën e famshme se Franca “jeton përtej mundësive të saj”. Ai e argumentoi deklaratën duke i treguar popullit francez se shuma totale e mbledhur nga taksat prej tyre do të shërbente vetëm për të financuar pagesat e interesit në borxhin publik.
Me reformat e tij të thella Breton, e la Francën në vitin 2007 me përqindjen më të ulët të papunësisë të regjistruar që nga viti 1983, në nivelin 8.4%.
Më pas në 2007 ai caktohet në krye të kompanisë më të fuqishme teknologjike franceze Atos, si CEO. Në këtë kompani Breton njihet si njeriu që orkestroi blerjen e kompanisë gjermane Siemens, e cila e ktheu kompaninë e tij të parën përsa i përket shërbimeve elektronike në Evropë dhe të 5-tën në rang botëror.
Ai është publikues i shumë librave studimorë dhe krijues i një filmi fantastiko –shkencor. Një zyrtar brenda pallatit të Elysses e përshkruajti zotin Breton si një “europian të thekur” dhe “njeri të aksionit” me shumë eksperiencë dhe vizion.
Tashmë departamenti i Çështjeve Tregtare në Parlamentin Europian do të fusë “në sitë” kandidatin e ri duke analizuar të gjitha pasurinë e tij dhe për të shikuar mbi ndonjë abuzim financiar në të kaluarën.
Më pas Breton do të merret në pyetje nga deputetët e Parlamentit Europian për planet dhe strategjinë që ai ka në drejtimin e portofolit të tij.
Portofoli i tij përfshin tregjet e brendshëm, mbrojtjen dhe problemet dixhitale të eurozonës.
SCAN