Martin Schulz jep dorëheqjen si kryetar i SPD-së
Ish-kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Partisë Socialdemokrate Gjermane. Andrea Nahles u propozua për pasardhëse të tij. Por përpara se ta marrë detyrën, partia do të votojë. Martin Schulz bëri të ditur të martën se e dorëzoi pozicionin e tij si kryertar i Partisë Socialdemokrate Gjermane me efekt të menjëhershëm. Ish-kandidati i pasuksesshëm për kancelar i kësaj partie dhe ish-kryetari i Parlamentit Evropian e mori vendimin pas ditësh debatesh për personelin në radhët e Partisë Socialdemokrate Gjermane.
Në fjalën e tij të dorëheqjes, ish-kreu i SPD-së tha se partia ka nevojë për “ripërtëritje”. Ish-ministrja e Punës dhe aktualisht kryetare e grupit parlamentar socialdemokrat në Bundestag, Andrea Nahles me një vendim unanim të drejtuesve të SPD-së u propozua për kryetare të partisë, tha Schulz.
Po të zgjidhet në këtë post në kongresin e partisë në prill në Wiesbaden, Nahles do të ishte gruaja e parë që do të drejtonte SPD me histori 150 vjeçare. Veç Nahles, për postin e kryetares së partisë kandidon kryetarja e bashkisë së Flensburgut, Simone Lange.
Kryetari i Bashkisë së Hamburgut, Olaf Scholz, i cili mendohet se do të marrë postin e ministrit të Financave në qeverinë e ardhshme, do të drejtojë në mënyrë provizore partinë deri në 22 prill, në bazë të burimeve partiake.
Rënia e Schulzit nga pushteti
Deklarata e së martës mbyll një javë të paqetë për ish-kryetarin e SPD-së, pas dakordimit të enjten e kaluar të partisë së tij që të formojë një koalicion me kristjandemokratët (CDU) të Angela Merkelit dhe me aleatët e tyre bavarezë, Bashkimin Kristjansocial (CSU).
Vetëm dy ditë pas arritjes së koalicionit, Schulzi bëri të ditur se do të heqë dorë nga dëshira e tij për të marrë postin e ministrit të Jashtëm. Këtë deklaratë ai e bëri pas kritikave të forta nga partia e tij, se po e kërkon këtë post në një kohë kur më parë pati thënë se nuk do të bëhej pjesë e qeverisë së ardhshme gjermane. Kritika për dëshirën e tij për këtë post, Scholzit i erdhën edhe nga kolegu i partisë, ministri aktual i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
Ndarje brenda SPD-së
Mosmarrëveshjet në krye të SPD-së e shmangën vëmendjen nga përpjekjet e drejtuesve të partisë për t’i bindur anëtarët që të votojnë në mbështetje të marrëveshjes së koalicionit. 464.000 anëtarët e SPD-së do të hedhin në votë marrëveshjen. Rezultatet e votimit do të bëhen të ditura në 2 mars. Aktualisht, SPD është e ndarë për vendimin për të hyrë në koalicionin e madh të ri me Merkelin.