Merkel: Rusia e ka fajin për humbjen e besimit
Gjatë informimit të Bundestagut për samitin e ardhshëm të NATO-s që do të zhvillohet në Varshavë, kancelarja Angela Merkel deklaroi se me qëndrimin e saj ndaj konfliktit ukrainas, Rusia ka provokuar vitet e fundit humbjen e besimit.
”Parimi i mosprekjes së kufijve është vënë në dyshim si me fjalë ashtu edhe me vepra”, theksoi kancelarja Merkel.
”Qëndrimi rus ka shqetësuar thellësisht anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore, që për këtë kanë nevojë për një mbështetje të qartë nga aleanca”, shtoi ajo.
“Kanosja dhe dialogu nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën”, deklaroi Merkel duke nënvizuar dy polet e qëndrimit të NATO-s ndaj Moskës.
”Një prani e përforcuar e NATO-s në vendet balltike dhe në Poloni është e domosdoshme, pasi nuk është i mjaftueshëm dërgimi i shpejtë i trupave në rast emergjence, por qëndrimi i tyre atje”, deklaroi Merkel përpara Bundestagut.
Merkel përsëriti disa herë rëndësinë e pranisë në këto vende dhe i konsideroi këto masa si mbrojtëse.
“Gjermania do të kontribuojë në mënyrë substanciale për këto masa”, përfundoi ajo.
KOHA JONË SONDAZH

