Ministri i Jashtëm i Venezuelës: Kushdo që sulmon vendin tonë, sulmon Amerikën Latine
Ministri i Jashtëm i Venezuelës, Yvan Gil, ka reaguar ashpër gjatë samitit të jashtëzakonshëm të Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), të mbajtur sot me iniciativë të Brazilit, duke e cilësuar situatën në Venezuelë si një kërcënim për gjithë rajonin.
Sipas Gil, çdo veprim kundër Venezuelës përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Amerikës Latine. Ai paralajmëroi se precedenti i krijuar mund të prekë në të ardhmen çdo shtet që zgjedh të ushtrojë sovranitetin e tij pa ndërhyrje të jashtme.
Në fjalën e tij, diplomati venezuelian u bëri thirrje vendeve anëtare të CELAC-ut të ruajnë unitetin dhe të mos lejojnë përçarje brenda organizatës, e cila përfshin 33 shtete nga Meksika deri në Argjentinë. Gil theksoi se vendet anëtare duhet të zgjedhin mes respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe asaj që ai e quajti “ligji i më të fortit”.
Në përfundim, ministri kërkoi nga CELAC që të angazhohet për rivendosjen e ligjshmërisë ndërkombëtare, të kërkojë tërheqjen e forcave ushtarake amerikane nga Karaibet dhe lirimin e menjëhershëm të presidentit kushtetues të Venezuelës, Nicolás Maduro.
KOHA JONË SONDAZH

