Mitsotakis takim me Presidentin Kinez:”Ruajtja e paqes një domosdoshmëri”
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i karakterizoi marrëdhëniet dypalëshe me Kinën si “të forta dhe të dobishme” gjatë takimit të tij me presidentin kinez Xi Jinping të premten në Pekin.
Sipas burimeve qeveritare, bisedimet mbuluan të gjithë spektrin e marrëdhënieve dypalëshe, duke u fokusuar në mënyrat e zgjerimit të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht në fushën e ekonomisë, tregtisë, turizmit dhe kulturës.
Mitsotakis vuri theks të veçantë në arritjen e fundit të Greqisë të një statusi të nivelit të investimeve dhe përpjekjet e saj për të tërhequr bizneset kineze. Ai nënvizoi mundësitë e investimit në Greqi.
Më tej, siç theksohet nga burime qeveritare, diskutimet përfshinin një shkëmbim pikëpamjesh mbi marrëdhëniet midis Kinës dhe Bashkimit Evropian. Kryeministri grek përsëriti qëndrimin e kahershëm të Greqisë për domosdoshmërinë e kanaleve të hapura të komunikimit mes BE-së dhe Kinës, duke theksuar interesin e ndërsjellë për të ruajtur një marrëdhënie konstruktive dhe të qëndrueshme. Ai theksoi rolin e mundshëm të Greqisë si një urë lidhëse në këtë marrëdhënie dhe shprehu besimin e tij se Evropa duhet të zhvillojë autonomi strategjike në mënyrë që të adresojë në mënyrë efektive sfidat gjeopolitike globale.
Mitsotakis theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit BE-Kinë në adresimin e sfidave të rëndësishme, si ndryshimi i klimës dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.
Të dy krerët diskutuan gjithashtu çështje rajonale dhe ndërkombëtare me interes. Mitsotakis theksoi rolin e rëndësishëm që Kina mund të luajë në ruajtjen e paqes ndërkombëtare dhe zgjidhjen e krizave globale, siç është lufta në Ukrainë, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Mitsotakis në fund përsëriti angazhimin e palëkundur të Greqisë për të kërkuar zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve bazuar në të drejtën ndërkombëtare.
KOHA JONË SONDAZH

