Ndërhyrjet në zgjedhje – Propozimi për sanksione ndaj Rusisë, Trump: S’kam biseduar me senatorët
Donald Trump ka deklaruar se nuk ka biseduar me senatorët amerikanë sa i përket idesë së vendosjes së sanksioneve mbi Rusinë në shenjë kundërpërgjigjeje ndaj sulmeve kibernetike të regjistruara gjatë sulmeve presidenciale, duke shtuar se në këtë pikë ku ka mbërritur teknologjia, është thuajse e pamundur që t’a kuptosh me saktësi se çfarë ka ndodhur. Më herët, një grup senatorësh me përvojë në legjislativin amerikan, paraqitën idenë se Uashingtoni duhet t’i tregojë në një farë mënyre Moskës se e ka tejkaluar limitin duke interferuar në procese të brendshme demokratike të një shteti tjetër.
I pyetur në lidhje me propozimin e disa senatorëve amerikanë për të vendosur sanksione mbi Rusinë si shenjë kundërpërgjigje ndaj sulmeve kibernetike gjatë fushatës presidenciale, Presidenti i zgjedhur Donald Trump është shprehur se nuk ka biseduar me anëtarët e Kongresit Amerikan për këtë çështje dhe se nuk mund të pajtohet me këtë ide në kushtet kur nuk mund të dihet me saktësi se çfarë ka ndodhur.
Trump theksoi se teknologjia ka lehtësuar shumë gjëra për njerëzimin, por në shumicën e rasteve, për shkak të mangësive që mund të kenë sistemet e sigurisë, është e pamundur që t’a zbulosh se kush qëndron pas një sulmi piratësh kompiuterikë.
“Mendoj se kompiuterat kanë arritur t’i komplikojnë jetët tona në mënyrë perfekte. Epoka e kompjuterave ka krijuar një situatë, ku askush nuk e di me saktësi se çfarë ndodh. Kemi shpejtësinë në kryerjen e veprimeve, por dyshoj të kemi sigurinë për të cilën kemi nevojë. Megjithatë, mund t’ju konfirmoj se nuk kam biseduar me senatorët për këtë çështje”, u shpreh Donald Trump.
Më herët, tre senatorë me përvojë siç janë dy republikanët John McCain, Lindsey Graham si dhe demokratja Amy Klobuchar, kërkuan vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, për t’iu kundërpërgjigjur Rusisë në lidhje me pretendimin e Shtetet e Bashkuara se Moska ka organizuar sulme kibernetike gjatë zgjedhjeve presidenciale.
Senatorët nënvizojnë se kjo nismë është mbështetur nga përfaqësues të të dyja forcave politike.
Sipas tyre, SHBA duhet të reagojë, në mënyrë që t’i tregojë Moskës se e ka kaluar limitin. E menjëhershme ka qenë edhe replika nga qeveria ruse, teksa zëdhënësja e Minsitrisë së Jashtme, Maria Zakharova, deklaroi se nëse Uashingtoni do të ndërmarrë hapa armiqësorë, Rusia do t’ia kthejë me të njëjtën monedhë.
Çështja e ndërhyrjes së Moskës në zgjedhjet e presidenciale ka qenë një temë debati mjaft e nxehtë përgjatë muajve të fundit.
Dy institucione mjaft të rëndësishme amerikane siç janë CIA dhe FBI, janë shprehur se kanë materiale të besueshme që vërtetojnë se hakerat rusë kanë sulmuar gjatë mbajtjes së primareve, por edhe gjatë zgjedhjeve.
KOHA JONË SONDAZH

