Nga Kina, koronavirusi mbërrin në Europë?

Viktimat e koronavirusit në Kinë kanë shkuar në 25, ndërsa rastet e personave të infektuar janë 616. Virologët kanë identifikuar se si erdhi te njerëzit virusi 2019-nCoV. Ka pasur një transmetim të parë nga lakuriqët e natës dhe ka kaluar më pas te gjarpërinjtë.

Ndërkohë, autoritetet kanë vendosur në karantinë Huanggang, Ezhou dhe Xianning: të tre qytetet kineze janë të vendosura në rajonin Hubei, ku nisi shpërthimi i infeksionit. Për të parandaluar që virusi të përhapet përsëri, Pekini anuloi festimet e Vitit të Ri Kinez. I njëjti vendim u mor nga Macao. Me gjithë izolimin e 20 milionë njerëzve dhe disa rasteve të dyshuara, Organizata Botërore e Shëndetit, në përfundim të një mbledhjeje të një komiteti, deklaroi se nuk është koha për të shpallur një emergjencë ndërkombëtare.

“Nuk ka asnjë provë të transmetimit nga njeriu tek njeriu jashtë Kinës”
“Dimë se ekziston një transmetim i virusit nga njeriu tek njeriu në Kinë, por tani për tani duket i kufizuar në grupe familjare dhe operatorë të kujdesit shëndetësor. Për momentin, nuk ka asnjë provë të transmetimit nga njeriu tek njeriu jashtë Kinës. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në Gjenevë në fund të një takimi të Komitetit të Emergjencës.

Një grua nga Bari që kthehej nga Kina është shtruar në Poliklinikën e Barit për një rast të dyshuar të koronavirusit, sepse sapo mbërriti në urgjencë me simptoma të dukshme gripi, ethe dhe kollë, u aktivizuan sipas qarkores ministrore, të gjitha procedurat e parashikuara për të parandaluar përhapjen e virusit. Bëhet fjalë për një këngëtare nga Bari që kthehej nga një turne në lindje që preku edhe zonën e Wuhan, qytetin e origjinës së virusit, shkruan TgCom24.

Rasti i parë i infektimit në Singapor
Është shfaqur një rast i parë i infektimit edhe në Singapor, raportojnë mediat lokale duke cituar ministrin e shëndetësisë.
Rasti, sipas Straits Time, ka të bëjë me një burrë 66-vjeçar nga Wuhan që mbërriti në Singapor në 20 Janar. Djali i tij 37-vjeçar trajtohet si i dyshuar në spital ndërsa shokët e tij të rrugës janë në karantinë. Një grua tjetër 53-vjeçare, gjithashtu nga Kina, rezultoi pozitive në testet paraprake, ende në pritje të konfirmimit.

Raste të dyshuara në Skoci dhe Francë
Katër raste të dyshuara të infektimit me koronavirusin e ri janë zbuluar në Skoci. Kjo është ajo që raportojnë mediat britanike, duke cituar Jürgen Haas, drejtuesin e njësisë së mjekësisë infektive në Universitetin e Edinburgh.
Haas shtoi se ai beson se do të ketë raste të tjera në qytetet e Britanisë së Madhe. Janë duke u zhvilluar analiza mbi njerëzit që mund të jenë infektuar, të gjithë të ardhur në Skoci nga Wuhan.

Lajme të mira nga Franca, ku kishte dy raste të dyshimta. Ministri i shëndetësisë Agnes Buzyn tha se “asnjë rast i dyshimtë” nuk është verifikuar. “Dy raste janë ekzaminuar- saktësoi ai – por ato rezultuan të jenë negative”.

Kalimi nga lakuriqët e natës te njerëzit
Për të treguar kalimin e virusit nga lakuriqët e natës te gjarpërinjtë dhe prej tyre te njerëzit është kryer një analizë gjenetike (e kryer në mostra nga specie të ndryshme pritëse dhe nga lokacione të ndryshme në Kinë) botuar në Journal of Medical Virology nga Wei Ji, Wei Wang, Xiaofang Zhao, Junjie Zai, dhe Xingguang Li, nga universitetet e Pekinit dhe Guangxi.

Sipas studiuesve, siç ndodhi në të kaluarën me viruset e gripit të shpendëve dhe me Sars, përgjegjësia do të ishte e tregjeve të kafshëve të gjalla, shumë të zakonshme në Kinë, ku krahas kafshëve të rritura në ferma dhe peshqve, shiten edhe kafshët e egra si gjarpërinjtë dhe lakuriqët e natës.
“Rezultatet e analizës sonë evolucionare – shkruajnë studiuesit – sugjerojnë për herë të parë që gjarpri është kafsha e egër më e mundshme si rezervuar i virusit 2019-nCoV”.

Tani është e qartë se virusi është një përzierje e një koronavirusi që vjen nga lakuriqët e natës dhe një tjetri që vjen nga gjarpërinjtë dhe që nga këta të fundit ka kaluar te njerëzit, duke iu përshtatur pritësit të ri dhe duke fituar aftësinë për të transmetuar nga njeriu në njeri. Duke u rikombinuar gjenetikisht tek gjarpri, pra, virusi i ri bëri të ashtuquajturin “kërcim i species”, duke përvetësuar receptorë të rinj që e lejojnë atë të lidhet me qelizat e sistemit njerëzor të frymëmarrjes.

SHKARKO APP