Nga prokurore në politikane. Vajza e dy emigrantëve në SHBA, jeta e Kamala Harris, kandidatja për presidenten e parë femër

Kamala Harris është kryefjalë e politikës në SHBA. Rruga e saj e karrierës nga prokurore në politikane ka qenë e gjatë. Ajo ishte senatorja e parë indiano-amerikane e vendit dhe Prokurorja e Parë e Përgjithshme femër e Kalifornisë nga Azia Jugore. Harris është gruaja e parë që u bë zëvendëspresidente, si dhe personi i parë amerikan me ngjyrë ose aziatik që mban postin. Tashmë Harris mund të jetë shumë pranë për t’u bërë presidentja e parë femër e vendit. Po kush është Kamala Harris dhe cilat momente e përcaktuan atë në politikë?

Fëmijëria dhe rinia e saj

Kamala Devi Harris ka lindur në Oakland, Kaliforni, më 20 tetor 1964. Në librin e botuar në vitin 2019, “The Truths We Hold”, Harris vuri në dukje se emri i saj do të thotë “zambak uji”, një simboli i rëndësishëm në kulturën indiane. Babai i saj emigroi në Shtetet e Bashkuara nga Xhamajka për të studiuar ekonomi në Universitetin e Kalifornisë. Nëna e saj, Shyamala Gopalan Harris, emigroi në SHBA nga India jugore në fund të viteve 1950. Ajo mbrojti doktoraturën në endokrinologji në Berkley dhe u bë një studiuese e njohur e kancerit të gjirit para se të vdiste në vitin 2009.

Harris shkruan se prindërit e saj u takuan dhe u dashuruan në Berkeley, teksa merrnin pjesë në lëvizjen për të drejtat civile, por çifti më vonë u divorcua kur Harris dhe motra e saj, Maya, ishin të reja. “Emrat tanë klasikë indianë u kthyen në trashëgiminë tonë dhe ne u rritëm me një vetëdije dhe vlerësim të fortë për kulturën indiane”, shkroi Harris në kujtimet e saj. ”Mamaja ime e kuptoi shumë mirë se po rriste dy vajza me ngjyrë. Ajo e dinte se atdheu i saj i adoptuar do të na shihte ndryshe dhe ishte e vendosur të sigurohej që ne të bëheshim gra të sigurta dhe krenare”.

Në vitin 1982, Harris u regjistrua në Universitetin Howard. Atje, ajo iu bashkua “Alpha Kappa Alpha”, grupi më i vjetër i njerëzve me ngjyrë në vend, dhe fitoi një diplomë bachelor në shkencat politike dhe ekonomi. Pas kolegjit, Harris u kthye në Kaliforni dhe ndoqi shkollën juridike në Universitetin e Kalifornisë Hastings. Pas mbarimit të shkollës juridike, Harris kaloi tri dekada duke shërbyer si zëvendësprokurore e qarkut Alameda të Oakland, përpara se të zgjidhej në vitin 2004 si prokurore e qarkut të San Franciskos.

Nga prokurore në politikane

Në vitin 2011, Harris u bë gruaja e parë dhe e para aziatike e zgjedhur si Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë. Gjatë kohës së saj si Prokurore e Përgjithshme, Harris u takua dhe u miqësua me djalin e madh të Biden, Beau, i cili gjithashtu shërbeu si Prokuror i Përgjithshëm i Delaware.

Rekordi i Harris si prokurore dhe më vonë zyrtarja më e lartë e zbatimit të ligjit në Kaliforni u vu nën shqyrtim gjatë fushatës së saj presidenciale 2020, kur aktivistë progresivë dhe avokatë të zbatimit të ligjit që vunë në dyshim disa vendime që ajo mori, duke përfshirë qëndrimin e saj kundër dënimit me vdekje.

Në vitin 2015, Harris nisi një fushatë për Senatin e SHBA-së, duke konkurruar për të zëvendësuar senatoren e vjetër të Kalifornisë, Barbara Boxer. Si ish-presidenti Barack Obama ashtu edhe Biden e mbështetën fushatën e saj dhe ajo më vonë do të shkruante në kujtimet e saj se nata e zgjedhjeve në 2016 ishte “surreale” për shumë arsye, jo vetëm sepse fitoi. “Unë isha gruaja e parë me ngjyrë nga shteti im dhe e dyta në historinë e vendit, që fitova atë punë”, shkroi ajo. Gjatë kohës së saj në Senatin e SHBA-së, Harris shërbeu në Komitetin Gjyqësor të Senatit përpara se të niste rrugën për Shtëpinë e Bardhë në 2019. Më 20 janar 2021, Harris u betua si gruaja e parë e vendit, e para me ngjyrë dhe zëvendëspresidentja e parë e Azisë Jugore.

SHKARKO APP