“Nuk do ta keni jetën e lehtë”- Irani paralajmëron shtetet fqinje për pasoja nëse nxisin trazira
Zëvendëspresidenti iranian, Eshaq Jahangiri ka paralajmëruar shtetet fqinje se “nuk do ta kenë jetën e lehtë” nëse konstatohet se ata kanë dorë në trazirat që tronditën Iranin javën e kaluar dhe nxitën protesta në mbarë vendin.
Zyrtarët kanë thënë se protestat, të cilat janë mbajtur në mbi 100 qytete iraniane, erdhën pas njoftimeve për racionimin e naftës dhe rritjen e çmimeve më 15 nëntor.
Teherani ka fajësuar armiqtë e huaj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe Izraelin për protestat, që kanë qenë ndër më të dhunshmet në Iran në dekadën e fundit.
“Disa shtete në rajon duhet ta dinë se nuk do ta kenë jetën e lehtë në këtë rajon, nëse konstatohet se ata kanë intervenuar në nxitjen e trazirave në Iran”, citohet të ketë thënë Jahangiri.
Arabia Saudite dhe Izraeli kanë mbështetur masat e vendosura nga Uashingtoni, që prej se presidenti amerikan, Donald Trump tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.
Kombet e Bashkuara dhe grupe të tjera kanë thënë se dhjetëra protestues janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur gjatë kësaj jave në Iran. Po ashtu, dhjetëra protestues gjenden në burg.
Amnesty International tha se në protesta janë vrarë 115 persona.
Irani ka thënë se ka arrestuar pothuajse 100 “liderë” të protestave./REL