OKB: Koreja e Veriut dhe Irani po bashkëpunojnë për armët bërthamore
Nuklearizimi i Iranit mund të jetë një sfidë e fortë e radhës për presidentin amerikan Joe Biden, shkruajnë mediat ndërkombëtare.
Një raport konfidencial i Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar, Irani dhe Koreja e Veriut kanë rifilluar bashkëpunimin për zhvillimin e projekteve të raketave me rreze të gjatë veprimi. Raporti u publikua nga një grup i pavarur ekspertësh që monitorojnë sanksionet ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut.
Iranianët e kanë hedhur poshtë një lajm të tillë duke thënë se në hetimet e tyre mund të jenë përdorur “informacione të rreme dhe të dhëna të fabrikuara”.
Sipas raportit, Koreja e Veriut vazhdoi me zhvillimin e programeve të saj bërthamore gjatë vitit 2020 duke shkelur sanksionet ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi kanë akuzuar Korenë e Veriut dhe Iranin për bashkëpunim në zhvillimin e raketave.
Marrëveshja bërthamore me Iranin është gjithashtu një sfidë e rëndësishme e gjeopolitkës së presidentit Biden. Në një intervistë për mediat amerikane ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i heqin sanksionet e tyre ekonomike ndaj Iranit si masë për ta kthyer Teheranin në tryezën e bisedimeve për të diskutuar se si mund të ringjallet marrëveshja bërthamore e vitit 2015.
Por për udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenein, Shtetet e Bashkuara duhet të heqin të gjitha sanksionet nëse Uashingtoni dëshiron që Irani të ndryshojë qëndrim mbi pasurimin e uraniumit.